Arrestohet në Dubai Florenc Çapja. Operacioni për arrestimin është zhvilluar mbrëmjen e shkuar për llogari të Interpol Tirana.
Gjykata e Elbasanit ka caktuar ndaj masën e sigurisë së arrestit në mungesë për vrasje të dyfishtë të shtetasve Gentian dhe Nezir Beqirit, babë e bir.
I riu, dyshohet se ka kryer të paktën dy vrasje si akt hakmarrjeje ndaj vrasjes së xhaxhait të tij, Sokol Çapja, vrasje e kryer në vitin 2005 po në Elbasan.
41-vjeçari është arrestuar në dy raste nga Policia e Shtetit për dy vrasje, një e ndodhur në vitin 2012 në Elbasan dhe një tjetër e ndodhur në vitin 2015 në Itali.
Ngjarja që ka dërguar pas hekurave Florenc Çapjan, i arrestuar nga policia në Dubai është ajo e vitit 2012, 9 vite më parë kur u ekzekutuan në shtëpinë e tyre babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqiri. Arrestimi i vëllait të madh të Çapajve, Ardian Çapja u bë pas dëshmisë së dhënë një vit më parë nga i penduari i drejtësisë Ervis Bardhi, i cili ka pranuar se kishte qenë ai që tërhoqi këmbëzën e armës që vrau në gjumë Gentjan Beqirin.
Abcnews.al siguroi asokohe edhe dëshminë e Ervis Bardhit dhënë prokurorëve pasi mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ku ndër të tjera ai shprehet se porosinë për të vrarë Gentjan Beqirin e morën pikërisht nga Ardjan dhe Florenc Çapja.
“Ardian Çapja më ofroi 50 mijë euro për vrasjen e Gentian Beqirit. Kryerja e vrasjes ishte i vështirë, sepse Beqiri ishte në ruajtje nga policia. Takimet me Ardianin i kam pasur në hotelin e tij” tha thënë Bardhi.
Prokuroria akuzon Jorgo Lekun si organizator të kësaj vrasjeje pasi kishte marrë porosinë nga Çapajt, me të cilët kishte lidhje familjare nga ana e bashkëshortes. Ndër të tjera, Ervis Bardhi shprehet se anëtarë të fisit Çapja e kishin ndjekur fillimisht atë gjatë hyrje-daljeve në familjen e Gentjan Beqirit, fakt që nuk provohet nga prokuroria.
Gentjan dhe Nezir Beqiri u vranë në 12 gusht të vitit 2012 dhe sipas asaj që Ervis Bardhi deklaron para prokurorëve në statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, krimi është kryer nga ai dhe Olsi Leku. Të dy ata u ngjitën në shtëpinë e Gentjan Beqirit mëngjesin e 12 gushtit pasi nëna e tij kishte dalë të bënte pazarin, ndërsa në shtëpi mund të futeshin vetëm personat e njohur sepse familja i trembej hakmarrjes nga fisi Çapja, pasi Beqiri akuzohej se kishte ekzekutuar Sokol Çapjan.
Duke shmangur dy policët që gjendeshin në hyrje të pallatit për shkak të Gentjan Beqiri ishte në arresht shtëpie, Ervis Bardhi dhe Olsi Leku ngjitën në banesën e Gentjan Beqirit ku në sheshpushimin mes katit të katërt dhe të tretë gjejnë Nezir Beqirin, të cilit i kanë thënë se kishin ardhur për të takuar Gentjanin.
Ndërkohë që Olsi Leku vinte pas me Nezir Beqirin, Ervis Bardhi është futur brenda duke nxjerrë armën për të qëlluar në kokë në drejtim të Gentjan Beqirit. Pas plumbit të parë, i cili e ka marrë viktimën në faqe, arma ngec dhe në këtë moment futet në banesë Nezir Beqiri, i cili sheh të gjithë skenën. Në këtë moment ai qëllohet me grushte dhe shkelma nga Olsi Leku duke u shtrirë në tokë. Nga ana tjetër, Ervis Bardhi kishte qëlluar edhe tre herë të tjerë në drejtim të Gentjan Beqirit duke e lënë të vdekur në vend. Ndërkohë, Olsi Leku merr nga dhoma e gjumit një jastëk dhe mbyt me të Nezir Beqirit.
Njohja me Gentjan Beqirin dhe vizitat e shpeshta në shtëpi
Ervis Bardhi kishte qendruar disa muaj në burg në vitin 2010 për kanosje me armë në Elbasan. Gjatë kohës që Ervis Bardhi ka qëndruar duke vuajtur dënimin në burgun e Peqinit, aty ka njohur dhe Gentjan Beqirin, pasi qelitë e tyre në sektorin e paraburgimit ishin ngjitur me njëra-tjetrën. Sipas Bardhit, kur ka dalë nga burgu ka vijuar të mbajë kontakte me, Etjen Canin. Bardhi ka treguar në polici se Cani është banor i lagjes “Çlirimi” të qytetit të Elbasanit, dhe shpesh herë qëndronte në lokalin e L. Skilja dhe mes tyre është krijuar shoqëri, pa pasur parasysh moshën, pasi L. Skilja ishte shumë më i madh në moshë.
Ky i fundit ka pasur njohje me Ardian Metën alias Gentjan Beqiri. Pas daljes nga burgu të Gentian Beqirit, L. Skilja, ka shkuar në banesën e këtij të fundit dhe e ka takuar.
Në një nga këto takime, L. Skilja, ka marrë me vete edhe Etjen Canin. L. Skilja, e ka prezantuar Etjen Canin dhe më pas, ky i fundit ka filluar të shkojë vetë në banesën e Gentjan Beqirit, duke i bërë shoqëri. Me kalimin e kohës, Etjen Cani, ka filluar të shkojë shpesh në banesën e Gentjan Beqirit, me të cilin ai qëndronte për kohë të gjatë dhe kanë lidhur shumë shoqëri midis tyre.
Gjatë kohës që Etjen Cani shkonte te banesa e Gentjan Beqirit, ai merrte me vete dhe një shoqe të tij, duke qëndruar me të në banesë.
Po kështu, Etjen Cani hynte dhe dilte në banesën e Beqirit, pa u shqetësuar nga ana e punonjësve të policisë, të cilët e ruanin jashtë shtëpisë. Disa muaj përpara vrasjes së Gentjan Beqirit, Etjen Cani, gjatë kohës që ka qenë duke pirë kafe me Ervis Bardhin, i ka thënë këtij të fundit që të shkonin së bashku në banesën e Gentjanit, pasi gjatë kohës që Ervis Bardhi, kishte qenë i paraburgosur në IEVP-në Peqin, kishte ndenjur në një nga dhomat ngjitur me dhomën ku qëndronte Gentjan Beqiri, i cili në atë kohë ishte i paraburgosur për shkak se Gjykata e Apelit, kishte kthyer për rigjykim çështjen në ngarkim të tij, ku akuzohej për vrasjen e Sokol Çapjas.
Më pas, Etjen Cani dhe Ervis Bardhi, kanë filluar që të shkojnë shpesh në banesën e Gentjan Beqirit, duke i bërë shoqëri. Në këtë periudhë Ervis Bardhi, jetonte në banesën e bashkëshortes së tij, A. Bardhi dhe gjatë kësaj kohe ai takohej edhe me Olsi Leka alias Jorgo Leku. Me të kishte biseduar edhe në lidhje me takimet që ai kishte me Ardian Meta alias Gentjan Beqiri në banesën e tij, ku i përgjigjej pyetjeve që i bënte herë pas here Olsi Leku.
Vrasja e ish-oficerit të policisë në Itali
Fadil Mema, ish-oficer i Policisë së Shtetit u vra në mars të vitit 2015 në Itali. 54-vjeçari, i cili prej kohësh punonte si shpërndarës gazetash u ekzekutua me gjashtë plumba pistole në sytë e bashkëshortes.
Dyshimet për këtë vrasje ranë mbi familje Çapja. Kjo pasi Memës, i cili ishte bërë atentat dhe në vitin 2006 kur ishte efektiv i Policisë Rrugore. Ai u qëllua në qytetin e Elbasanit dhe për këtë në atë kohë policia tha se kishte identifikuar si autor Florenc Çapjen. Ngjarja ndodhi në prani të familjarëve të efektivit të policisë, të cilët identifikuan edhe autorin. Fadil Mema u dërgua në spital dhe u mbijetoi plagëve të marra, ndërsa Florenc Çapja, dy orë pas ngjarjes, u prangos nga policia.
Florenc Çapja, nipi i Sokol Çapes, që sapo ishte kthyer nga Zvicra edhe pse i dyshuar kryesor, prokuroria nuk provoi se ai ishte i përfshirë në atentatin ndaj Fadil Memës. Familja Çapja akuzonte Memën si organizator të atentatit me Sokol Çapjen, pas një konflikti që kishte pasur oficeri me Sokolin. Të dyja familjet kishin lidhje të ngushta miqësore mes tyre. Disa kohë më pas u ekzekutua në dyqanin autoshkollë të Fadil Memës, kunati i tij, Ardian Ibrahimi.
33-vjeçari Sokol Çapja u ekzekutua në një atentat mafioz në vitin 2005 pranë hotel “Univers”, objekt në pronësi të viktimës. Sokol Çapja ishte një emër i njohur për policinë dhe organet e drejtësisë, ndërsa pati dyshime se në vrasje ishte i përfshirë edhe ish-efektivi i policisë, Fadil Mema.
Vrasje e biznesmenit me arrest shtëpie
Në gusht të vitit 2012, Gentian Beqiri u ekzekutua në banesën e tij ndërsa ndodhej në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Edhe pse ai ndodhej nën vëzhgimin e dy punonjësve të policisë, atentatorët arritën ta ekzutonin. Policia identifikoi si autor të ngjarjes Florenc Çapjen, i cili ishte në hasmëri me Gentianin.
Çapja arriti t’i shpëtonte Drejtësisë me pretendimin se ditën e ngjarjes kishte qenë në Ohër, gjë e cila vërtetohej dhe sistemi elektronik kufitar TIMS. Por, më pas rezultoi se vula ishte e falsifikuar. Vula në pasaportën e Çapjes u dërgua në laborator për ekspertim dhe sipas SHKB-së ekspertimi ka vërtetuar falsitetin e vulës. Një tjetër fakti ishte se, pas kërkesës për pamjet filmike nga kamerat e sigurisë rezultoi se “sistemi i kamerave ishte shkëputur për disa orë në për shkak të një defekti dhe pamje nuk disponohen”. Pavarësisht të gjitha këtyre, Çapja nuk morë dënim. TEMA