Sot zhvillohet finalja e Champions League, që përkon me një duel anglez. Manchester City dhe Chelsea do të masin forcat mes tyre në “Estadio do Dragao” të Portos, duke nisur prej orës 21:00.
E katërta herë që një finale e madhe e kompeticionit më të rëndësishëm për klube do të mbahet në tokën portugeze. Hera e parë më 1967 në Lisbonë, takim ku Celtic mposhti 2-1 Interin.
Më pas viti 2014. Në finale derbi i Madridid mes Atleticos dhe Realit, që u fitua 4-1 nga “Los Blancos”. Rasti i tretë sezoni i kaluar mes Bayern Munchen dhe PSG, përballje që gjermanët e fituan 1-0.
“Cityzens” nuk e kanë fituar kurrë më parë këtë trofe dhe ky shihet si momenti perfekt për t’ia dalë. I uritur më shumë se kurrë edhe Pep Guardiola, i cili e ka fituar për herë të fundit 10 vite më parë.
Dy Champions League ka fituar si trajner katalanasi, të dy si trajner i Barcelonës dhe në finale ka pasur kundër në të dy rastet një ekip anglez: Mancheshter United. Sonte do të ketë përballë Chelsea.
“Blutë e Londrës” kanë triumfuar për herë të parë dhe të vetme në turneun e më të fortëve në vitin 2012, në atë finale dramatike, emocionuese dhe plot fat ndaj Bayern Munchen. Ardhja e Thomas Tuchel ka ngritur Chelsea në nivel të lartë.
Tekniku gjerman doli me PSG-në në finale sezonin e kaluar, por kupën e fitoi Bayern Munchen falë golit të Coman. Tuchel uron të triumfojë këtë herë dhe djemtë e tij kanë cilësinë dhe forcën për t’ia plotësuar dëshirën.
g.kosovari