Paraja jashtë bankave arriti në rekorde historike në fund të muajit Prill 2021, duke shënuar vlerën e 2.85 miliardë Eurove.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, krahasuar me Prillin e një viti më parë, paratë që kanë qarkulluar jashtë kanaleve zyrtare janë shtuar me 390 milionë Euro, duke shënuar shtesën më të lartë të 10 viteve të fundit në këtë periudhë.
Në Prill 2019 paratë jashtë bankave u rritën me 170 milionë Euro, ndërsa në Prill 2020, kohë kur cashi shtoi qarkullimin për shkak të reduktimit të shërbimeve bankare gjatë pandemisë së Covid, paraja në kanalet jo zyrtare u shtua me 243 milionë Euro.
Rritje është shënuar edhe gjatë 4 muajve të parë të këtij viti ku shtesa e qarkullimit të parasë “cash” është 48 milionë Euro dhe afro gjysma e saj, 23 milionë Euro është shtuar në Prill.
Njëkohësisht me paranë jashtë bankave, janë rritur edhe depozitat me afat dhe llogaritë rrjedhëse të individëve e bizneseve.
Qeveria ka marrë një sërë masash për të ulur qarkullimin e parasë jashtë bankave në ekonomi, duke detyruar hapjen e llogarive bankare edhe për të gjithë bizneset dhe refuzimin e dy bilanceve për dhënien e kredive bankare për kompanitë e individët, por pavarësisht kësaj, ky fenomen vetëm është rritur.
/a.r