Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, ka mbërritur sot në Tiranë për një vizitë 2-ditore, ku në takime të ndryshme diskutohet ecuria e procesit të integrimit dhe çështja e hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Roth është takuar me Kryeministrin Edi Rama, me të cilin ka dalë në një konferencë për shtyp nga Kryeministria.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se mbajtja e Konfrencës së Parë Ndërqeveritare varet nga çështjet e brendshme të BE. Ai solli në vëmendje ngërçin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Megjithatë, kryeministri i Shipërisë kërkoi që Unioni të zbatojë vendimet. Rama shtoi se vendi ynë i ka kryer detyrat e saj për procesin e integrimit.
Ndërkohë, Michael Roth u shpreh se Shqipëria ka shënuar rritje. Ai shtoi se BE nuk lë askënd vetëm dhe se Ballkani Perëndimor është oborri i brendshëm i Bashkimit Evropian.
Ai u ndal edhe tek zhvillimet politike. “Mazhoranca e dalë nga zgjedhjet është e qartë dhe këtë e them edhe si socialdemokrat” – tha Roth.
Roth vjen në Shqipëri pasi ndodhet aktualisht për vizitë dy ditore në Maqedoninë e Veriut. Ministri shtetëror gjerman për Evropën Michael Roth para arritjes në Shkup tha se është koha e fundit që Bashkimi Evropian t’i përmbushë premtimet e tij për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Ardhmëria e Ballkanit Perëndimor është evropiane, tani duhet të veprojmë vendosmërisht që të mos ketë asnjë dyshim për këtë ardhmëri”, shkroi në Twitter Michael Roth.
/a.r