Villarreal është fituese e Europa League pas një ndeshje “maratonë”, e cila u mbyll vetëm përmes penalltive, pasi 120 minutat përfunduan në barazim 1-1 me gola të shënuar nga Moreno për spanjollët dhe Cavani për Manchester United. Skuadra e Emery tregua më e ftohtë te penalltitë, pas plot 21 goditjeve të sakta nga pika e bardhë.
Ndeshja nisi e barabartë për të dy skuadrat, me United, që e tentoi më qartë portën. Gjithsesi, golin e shënuan spanjollët, që kaluan në avantazh me Gerard Morenon në minutën e 29, duke e mbyllur pjesën e parë me avantazhin e Villarreal.
Në pjesën e dytë Manchester United erdhi me një version më agresiv dhe dominues dhe e vizitoi vazhdimisht portën e spanjollëve. Në minutën e 55 ishte Edinson Cavani, që përfitoi nga një hezitim në zonën kundërshtare dhe goditi pranë portës, duke tundur rrjetën dhe barazuar shifrat.
Në pjesën e mbetur të ndeshjes anglezët ishin shumë më kërkues dhe e rrezikuan më shumë portën rivale, por gol nuk kishte dhe ndeshja shkoi në shtesa. As në 30 minutat e shtesës nuk kishte rrjeta të tundura, me të dy skuadrat, që ishin të kujdesshme dhe luajtën pa ritëm.
Kështu, në shtesë nuk u shënua asnjë gol derisa arbitri i drejtoi skuadrat drejt penalltive. Në gjuajtjet e para të dyja skuadrat ishin kirurgjikale dhe shënuan njëra pas tjetrës, duke regjitruar plot 21 penallti të sakta radhazi, derisa erdhi radha e David De Gea, të cilit homologu i tij, Rulli ja priti goditjen dhe hyri në histori.
Kështu, Villarreal fitoi për herë të parë në histori një kompeticion evropian dhe e bëri këtë pa u mundur asnjëherë gjatë kësaj aventure. Ndërkohë, Unai Emery e ka privatizuar Europa League, duke e fituar plot 4 herë. Villarreal kualifikohet në Champions League për sezonin e ardhshëm, duke e çuar në 5 numrin e spanjolleve në atë kompeticion.
g.kosovari