Kandidatja për kryetar të Partisë Demokratike, Edith Harxhi e ftuar në “ABC” u shpreh, se nëse do të humbasë në zgjedhjet e 13 qershorit, do të vazhdojë të jetë një anëtare e denjë po në këtë forcë politike.
Gjatë bisedës në studio, Harxhi tha se tashmë ka ardhur momenti që Partia Demokratike të ndahet nga tranzicioni 30-vjeçar.
Pyetje: Nëse fiton sërish Basha, çfarë do të ndodhë pas 13 qershorit?
Harxhi: Në datën 14 qershor do të vazhdoj aktivitetin tim brenda PD ashtu siç kam bërë në të shkuarën.
Ajo gjithashtu theksoi se në këtë garë, nuk do të jetë për të marrë pozicione të tjera, përveç kryetares së PD.
“Besoj që PD ka nevojë të ketë një vizion të ri. Kjo nuk është garë sepse nuk jemi në kushte të barabarta, megjithatë unë i bindem rregulla të partisë, por fatkeqësisht PD nuk është më parti e djathtë”, tha Harxhi.
Pyetje: Çfarë do të ndodhë me grupin e PD-së?
Harxhi: Grupi për PD-në është një grup që nuk është formuar rishtazi. Pas zgjedhjeve të 25 prillit ka pasur një zgjerim. Ky është një grup që kërkon një reformim të thellë të PD, me idealet e ’90.
Më tej Harxhi theksoi se parimet themelore të moralit dhe politik janë po ato të ’90 dhe është e domosdoshme që të rikthehen, duke shtuar se shtresa e mesme në Shqipëri është reduktuar për shkak të keqqeverisjes.
Po ashtu ajo shtoi se baza e Partisë Demokratike është zvogëluar.
/b.h