Emiljano Shullazi do të vijojë të mbetet në qelitë e regjimit 41-biss. Gjykata e Lartë ka rrëzuar sot pretendimet e tij për t’u liruar nga kjo qeli, ku sipas afatit duhet të qëndrojë deri në gusht të këtij viti.
Shullazi njihet nga drejtësia shqiptare si pjesë e një bande të rrezikshme kriminale dhe akuzohet për disa vepra penale:
“Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Kanosje për shkak të detyrës”, “Shkatërrim prone me eksploziv”, “Grup i strukturuar kriminal” si edhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Në nëntor të vitit 2018 Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor Emiljano Shullazin për “përvetësim pasurie”, “kërcënim”, dhe “grup të strukturuar kriminal” dhe u dënua me 14 vjet burg.
Bashkëpunëtori i tij Gilmando Dani u dënua 12 vjet burg, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vjet dhe Blerim Shullazi me 9 vjet burg.
Avokatja amerikane e Emiljano Shullazit, Lambrini Nasiss thotë se në seancë gjyqësore i është mohuar e drejta e fjalës megjithëse është e legjitimuar si mbrojtëse nga gjykata.
Më tej gjatë një prononcimi për mediat, Nasiss tha se tashme ato po presin një përgjigje nga Gjykata e Lartë, pasi kanë kërkuar dorëheqjen e gjyqtares Miliana Muça, ndërkohë që është refuzuar nga kryetarja e gjykatës dorëheqja e saj dhe tashmë është bërë rekurs.
Avokatja Nasiss nënvizoi se refuzimi për dorëheqjen është një veprim më standarde të dyfishta dhe se pasi në raste të ngjashme është vendosur që të dorëhiqet. Avokatja theksoi se për këtë i janë drejtuar institucioneve ndërkombëtare si OPDAT dhe nëse do të jetë e nevojshme do t’i drejtohen edhe gjykatës së të drejtave të njeriut në Strasburg
‘E drejta e fjalës më është refuzuar, ndonëse jam e legjitimuar si mbrojtëse nga gjykata. Po pres një përgjigje nga Gjykata e Lartë që e gjithë mbrojta ka bërë për dorëheqjen e gjyqtares dhe duke qenë se kryetarja e gjykatës e ka refuzuar dorëheqjen e gjyqtares Miliana Muça dhe kemi bërë rekurs në Gjykatës e Lartë dhe po presim përgjigje. Jam në dijeni se ky është një veprim me dy standarde pasi në raste të ngjashme gjykata ke vendosur që të dorëhiqet dhe në këtë rast jo. Ky është një proces jo i drejtë dhe për këtë i jemi drejtuar institucioneve ndërkombëtare për çdo parregullsi që është bërë. Në apel i jemi drejtuar misionit OPDAT që po monitoron Reformën në Drejtësi. Nëse do të jetë e nevojshme do t’i drejtohemi edhe gjykatës së të drejtave të njeriut në Strasburg.’- tha Nasiss.
g.kosovari