Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka nxjerrë për konsultim publik tre modelet e policave të reja të sigurimit të detyrueshëm, në zbatim të ligjit të ri, që hyn në fuqi më 1 korrik të këtij viti.
Bëhet fjalë për policat e sigurimit të detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorike për përgjegjësinë ndaj palëve të treta (TPL), policën e sigurimit kufitar dhe policën e pasagjerëve në transportin publik.
Modelet e reja të policave, pasi t’i nënshtrohen konsultimit publik, pritet të miratohen nga Bordi i Autoritetit. Këto polica reflektojnë disa nga ndryshimet kryesore të ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Në kushtet e përgjithshme, në faqen e pasme të policës së sigurimit TPL, përfshihet detyrimi ligjor i shoqërive të sigurimit për të shpërndarë formularin “Raportit Evropian i Aksidenteve”, së bashku me policën e sigurimit.
Gjithashtu, në policën e re të sigurimit reflektohen si informacion ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me afatet e reja për trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim, kryesisht për ato dëme me vlerë deri në 100 mijë lekë. Për këtë kategori dëmesh, ligji i ri përcakton afatin 14 ditor për trajtimin e dëmeve dhe jo 30 ditë siç është aktualisht.
Mes ndryshimeve të reja është edhe ai që ka të bëjë me rastet e aksidenteve që shkaktohen nga mjetet e pasiguruar apo paidentifikuar, duke informuar palën e dëmtuar në një aksident, që t’i drejtohet me kërkesë për dëmshpërblim drejtpërdrejtë shoqërisë së saj të sigurimit, mbi çdo dëm të shkaktuar mbi pronën apo shëndetin e tij.
Gjithashtu, në pjesën e pasme të policës së re të sigurimit TPL, janë reflektuar ndryshimet ligjore në lidhje me limitet e përgjegjësisë, ku parashikohet rritje e tyre në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, në 1 korrik të këtij viti, shoqëruar me rritje graduale nga 1 janari 2022 deri në 31.12.2026.
Ndryshimet ligjore janë reflektuar edhe te kushtet e përgjithshme të policës së sigurimit të pasagjerëve nga aksidentet në transportin publik.
Por çfarë është formulari “Raporti Evropian i Aksidenteve”?
Formulari që publikoi ATSH do të miratohet nga Bordi i Autoritetit dhe parashikohet të përdoret pas 1 korrikut të këtij viti, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri. Ky formular do të përdoret në rastet e dëmeve materiale me vlerë deri në 30 mijë lekë, nëse drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksident bien dakord për përgjegjësinë dhe nënshkruajnë formularin, pa patur nevojë për procesverbalin e konstatimit të shkeljes nga policia rrugore.
Ky raport i nënshkruar nga të dy drejtuesit e mjeteve nënkupton që aksidenti ka ndodhur sipas rrethanave, modaliteteve dhe pasojave të pasqyruara në formular. Raporti i plotësuar dhe i nënshkruar nga drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksident i bashkangjitet kërkesës për dëmshpërblim, e cila sipas ndryshimeve ligjore tashmë, duke nisur nga 1 korriku, nuk do të trajtohet brenda 30 ditëve nga shoqëria, por për 14 ditë kalendarike nga data e paraqitjes së dokumentacionit.
Nëse drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksident nuk bien dakord për përgjegjësinë, atëherë ata duhet të njoftojnë Policinë Rrugore. Gjithashtu, policia duhet të njoftohet edhe në rastet kur kemi dëme që vlerësohet të jenë më të mëdha se 30 mijë lekë, ose në rastet e dëmeve shëndetësore. Këto janë të parashikuara gjithashtu edhe në ndryshimet e bëra së fundmi në Kodin Rrugor.
Ligji “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili hyn në fuqi më 1 korrik parashikon risi për sa i përket procedurave dhe afateve të trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim nga ana e shoqërive të sigurimit. Në këtë kuadër është parashikuar se afatet për trajtimin dhe pagesën e dëmshpërblimit janë 90 ditë për dëme ndaj personit; 30 ditë për dëme ndaj pronës; si dhe 14 ditë për dëme ndaj pronës me vlerë deri në 100 mijë lekë. Kjo e fundit përbën edhe ndryshimin kryesor sa i përket afateve, pasi nga 1 korriku, dëmet me vlerë deri në 100 mijë lekë, do të cilësohen si dëme me vlerë të vogël dhe për këto afati i trajtimit do të jenë jo më 30 ditë, por 14 ditë.
Ligji i ri ka parashikuar dhe detyrimin e shoqërisë për të ju drejtuar palës së dëmtuar brenda një afati 8 ditor, me qëllim që pala të informohet në lind nevoja për plotësim dokumentacioni dhe për t’u dëmshpërblyer brenda afatit ligjor.
Një nga ndryshimet e rëndësishme të ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” ka të bëjë me mënyrën e trajtimit të aksidenteve të shkaktuara nga mjetet e pasiguruara ose të paidentifikuara, të cilat aktualisht shkojnë të gjitha si raste te Fondi i Kompensimit.
Në ligj parashikohet për herë të parë e drejta e shoqërisë së sigurimit (si sigurues i drejtpërdrejtë) të kryejë funksionet e entit kompensues (BSHS), për trajtimin dhe pagesën e dëmeve ndaj pronës apo ndaj personit të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë nga mjetet e pasiguruara ose të paidentifikuara.
Kështu, nëse drejtuesi i mjetit ose personi që ndodhet në këtë mjet të siguruar, pëson një aksident nga një mjet i pasiguruar, ose i paidentifikuar (që largohet nga vendngjarja), kërkesa për dëmshpërblim nuk trajtohet nga Byroja Shqiptare e Sigurimit nga Fondi i Kompensimit, por të dëmtuarit (përfituesit) i lind e drejta që kompensimin t’a kërkojë direkt shoqërisë ku ishte siguruar mjeti me të cilin ai po udhëtonte. Kjo e drejtë është edhe për palët e treta që dëmtohen dhe ndodhen në mjetin e pasiguruar në këtë aksident.
Gjatë vitit 2020 shoqëritë e sigurimit kanë paguar rreth 3 miliardë lekë dëme për sigurimin nga zjarri dhe rreziqet shtesë, që janë kryesisht pagesat e dëmshpërblimit për dy ngjarjet e tërmetit të vitit 2019. /ATSH/a.r