Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, nga Përmeti ka deklaruar, se janë plotësuar të gjitha kushtet për të mbajtur Konferencën Ndërqeveritare, ku pritet të merret dhe vendimi për çeljen zyrtare të negociatave.
“Sa i përket Bashkimit Europian, ne mund të themi se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për të mbajtur Konferencën Ndërqeveritare.
Shtetet anëtare do të marrin vendim në javët në vijim, ne mendojmë se ka ardhur koha që ky vendim të merret dhe ne vazhdojmë të besojmë se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor“, është shprehur Soreca.
Sipas të njëjtit, 25 prilli kaloi pa probleme, ndërsa Opozita duhet të ndjekë rrugën isntitucionale për parregullsitë që pretendon.
“Ne konsideronim provim ditën e zgjedhjeve, pra mënyra se si do të shkonte dita e zgjedhjeve dhe në fakt raporti paraprak i OSBE/ODIHR e tha qartë: Dita e zgjedhjeve ka ecur në mënyrë të rregullt, pa probleme. Pra për ne test ishte dita e zgjedhjeve!”, ka thënë Soreca.
“Siç e dini, ne e kemi ndërmarrë këtë udhëtim nëpër të gjithë Shqipërinë dhe të kalonim në Përmet ishte domosdoshmëri. Turneu ka për synim që të tregojë shqiptarëve se çfarë ka bërë dhe çfarë do të vijojë të bëjë BE dhe shtetet anëtare në Shqipëri.
Mendoj se Përmeti është shembulli më i mirë i kësaj pune. Ne dëshirojmë që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së, prandaj dhe motoja jonë është “Evropa është këtu.”
Ju ndoshta më keni dëgjuar që unë kam thënë se përsa i përket BE-së ne mendojmë që Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare.
Unë jam shumë optimist që kjo do të ndodhë se shpejti dhe ne mendojmë që ka ardhur koha që ky të merret. Ne mendojmë që BE nuk është e plotë pa Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.
Raporti paraprak i OSBE foli qartë për zgjedhjet dhe tha që dita e zgjedhjeve kishte ecur në mënyrë të rregullt, kështu që për sa i përket testit në vetvete testi për ne ishte se si do të shkonin gjërat atë ditë,” ka qene deklarata e plote e Soreces ne Permet.
/b.h