Kreu i PD, Lulzim Basha është shprehur nga Berati që sakrifica nuk do të shkojë dëm dhe që do të vazhdohet beteja për shqiptarët.
“Jemi të vetëdijshëm se jo vetëm në Berat po anembanë Shqipërisë, ne qëndruam fuqishëm. Ju qëndruat me kurajën më të madhe në një fushëbeteje ku ai vinte me kriminelët dhe paratë e oligarkëve dhe ne shkonim me ndershmëri, me program, me ide, me vizion dhe me zemrën e hapur për njerëzit.
Dhe në vend që të bëheshim më të dobët dhe më të pakët, në një situatë ku për herë të parë që nga 91-shi nuk kishim asnjë pushtet dhe shkonim tek qytetarët të barabartë me të, më 25 prill pavarësisht të gjithë makinacioneve dolëm më të fortë, më të mëdhenj, më të bashkuar dhe padiskutim për këtë merita i takon në radhë të parë mbi të gjitha demokratëve.
Pra, edhe në këtë moment nuk duhet të harrojmë se ajo që na mbledh këtu është të qenit njerëz me përgjegjësi politike. Dhe si njerëz me përgjegjësi politike, duke përfaqësuar Partinë Demokratike, të vetmen forcë në Shqipëri dhe në Ballkan që i ka mbijetuar sfidave dhe vështirësive të 30 viteve dhe të fatit, jemi mbledhur këtu përsëri të vetëdijshëm se jemi të vetmit që kemi fuqinë, përvojën dhe kurajën për ta çuar deri në fund betejën tonë për ndryshim.
Tani e vërteta është që se kemi bërë këtë punë për Bashën, apo jo? As për Tomorin, as për Kasemin, as për kandidatët e tjerë. S’e kemi bërë për veten tonë. Shqiptarët na ndoqën sepse e besuan që ne po e bënim këtë për ta, këtë betejë po e bënim për Ta, të vetëdijshëm që ne ishim e vetmja fuqi që mund t’i kundërviheshim regjimit. Dhe shqiptarët kam bindjen e thellë do të vazhdojnë të na ndjekin nëse japim garanci që betejën do ta vazhdojmë për ta.
Por barra e përgjegjësisë padiskutim historike bie mbi ne. Prandaj jo vetëm u jam përjetësisht mirënjohës për këtë sakrificë të çdo demokrateje dhe çdo demokrati të Beratit, të Skraparit, Poliçanit, të Kuçovës, të Urës Vajgurore dhe të gjithë Shqipërisë, por po kështu ju siguroj që asnjë pikë djersë dhe mund nuk mund dhe nuk do të shkojë kot nga ky vetëmohim dhe nga kjo sakrificë.
Me përgjegjësinë më të madhe që na kanë ngarkuar shqiptarët përkundër të gjithë kushteve të betejës së 25 prillit, jam këtu t’ju kërkoj të vazhdojmë së bashku këtë përballje. I vetëdijshëm për të gjitha çfarë kemi arritur bashkë, pavarësisht asaj dhe atyre që kishim përballë, por po kështu të gatshëm për të pranuar, për të ndrequr gjithçka që është në dorën tonë për t’u ndrequr.
Unë e di që ju e doni Partinë Demokratike të jetë e bashkuar dhe e fortë dhe ju garantoj që ky është dhe prioriteti im i parë dhe kryesor që nga kjo garë, nga ky proces i brendshëm të dalim të bashkuar dhe të fortë.
Partia Demokratike është më e madhe se gjithsecili prej nesh, duke filluar nga kryetari e deri tek anëtari më i thjeshtë dhe është edhe më e madhe se arritjet apo gabimet e gjithsecilit prej nesh, por vetëm bashkë me të gjitha arritjet dhe gabimet tona e di se mund dhe do t’ia dalim në krye për ta çuar deri në fund misionin me të cilën e kemi nisur betejën për ndryshim”, u shpreh Basha.
/b.h