Në lagjjen e re të Ndroqit, e cila po ringrihet nga e para pas tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntorit, punohet me ritme intensive edhe gjatë muajve të verës, në mënyrë që ajo të jetë gati në shtator të këtij viti. Plot 74 shtëpi të reja individuale që do strehojnë mbi 300 banorë të mbetur pa strehë nga tërmeti tragjik i dy viteve më parë do të akomodohen në këtë lagje e cila do të ketë edhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme që po strukturohet njësoj me lagjet në qendër të Tiranës.
Kryeministri Edi Rama, sëbashku me kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj dhe ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj, vizituan kantieret e kësaj lagjeje që pret të marrë formë së shpejti për tu dorëzuar në vjeshtë. Kryebashkiaku Veliaj tha se Ndroqi ishte një ndër zonat më të prekura nga tërmeti ndaj dhe lagjja e re që po rindërtohet ka kapacitete më të mëdha.
“Herën e parë që erdhëm ishim te cepit tjetër i lagjes, ndërkohë kemi vazhduar edhe me një parcelë tjetër, kemi shkuar në 74 objekte. Jemi munduar që ata që kanë qenë në mes të territorit t’i akomodojmë, pra mos tua prishnim shtëpitë e në finale kur të bëhet rifinitura e lagjes së re do duhet që t’i akomodojmë me estetikë edhe pjesët e vjetra. Si kapacitet është katër herë më i madh se i Vaqarrit, duke qenë se kodrat e Ndroqit kanë qenë ndër më të prekurat prej tërmetit kështu që pjesa më e madhe do zbresin nga zonat kodrinore që janë në kufi më Durrësin dhe do jenë buzë lagjes, buzë rrugës kryesore,” u shpreh Veliaj, i cili tha se para vitit të ri shkollor do të hapim dhe shkollat e reja.
Në lagjen e re në Njësinë Administrative Ndroq është parashikuar të ndërtohen 74 shtëpi individuale, infrastruktura publike përkatëse, rrugë, trotuare, parkime rezidentësh, linja ujësjellësi, rrjete kuz dhe kub, ndriçim rrugor, punime për krijimin e sipërfaqeve të gjelbëruara dhe mobilim urban, një qendër shëndetësore dhe një kopsht.