Komisioni Hetimor për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti Ilir Meta do të mblidhet sot në orën 12:00, që është edhe afati i fundit që Ilir Meta të mund të paraqitet për t’u pyetur në këtë seancë dëgjimore.
Në mbledhjen e kaluar në qendër të diskutimeve ka qenë raportimi i ekspertëve ligjor Erind Mërkurin dhe Artan Spahiun kontraktuar nga Kuvendi për shkeljet kushtetuese që ka kryer Presidenti Ilir Meta.
Eksperti ligjor Erind Mërkuri tha se Presidenti nuk duhej që të shkelë neutralitetin në një fushatë elektorale dhe se gjuha e tij duhet të jetë korrekte. Presidenti Meta u thirr në komision edhe gjatë javës së kaluar por ai në një letër drejtuar kryeparlamentarit Ruci e cilësoi ate si jo legjitim. Kjo është java e fundit e aktivitetit të Komisionit Hetimor ndaj pritet edhe hartimi i raportit përfundimtar që do të paraqitet në seancë plenare në Parlament.
Ndërsa Komisioni Hetimor po vazhdon procedurat, me qëllim shkarkimin e tij, Meta, përmes një postimi në “Facebook” ka publikuar një fotografi, ku shihet pranë detit. Kreu i Shtetit shprehet se ka bërë 20 kilometra ecje sportive.
/a.r