Ashtu siç ishte paralajmëruar LSI ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KAS për qarkun Gjirokastër, ndërsa të njëjtën gjë pritet që ta bëjë edhe PD. Pas vendimit të marrë nga KAS që ka rrëzuar pretendimet e PD dhe LSI për Qarku e Gjirokastrës përfaqësuesit e këtyre dy forcave politike në KQZ kanë akuzuar se kjo është vendimmarrje politike dhe se do e ankimonin atë në Kolegjin Zgjedhor.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ vendosi me shumicë votash të anëtarëve që të rrëzojë kërkesat e PD dhe LSI për shpallje pavlefshmërie dhe rivotim duke lënë në fuqi rezultatin e votimit më 25 prill për Qarkun e Gjirokastrës i shpallur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
LSI ankimoi rezultatin e 25 prillit në Gjirokastër duke e argumentuar se vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për ta karantinuar për 14 ditë qytetarët që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, ka synuar që të godasë politikisht LSI-në në zgjedhje. Nga ana tjetër PD ankimoi rezultatin e 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës duke kërkuya shpallje të pavlefshmërisë dhe rivotim në këtë qark me argumentin e PS-ja ka blerë masivisht votat nga individë me rekorde kriminale, se ka dhënë leje legalizimesh , ndihma ekonomike, pagesa për tërmetin për vota në favor të socialistëve, por që për KAS nuk kishte prova e fakte të mjaftueshme për të mbështetur ankimimin e tyre duke e rrëzuar atë.
Lidhur me rastet e dyshimta për votim të dyfishtë në Qarkun e Gjirokastrës, nënkomisionerja Shtetërore e Zgjedhjeve, Lealba Pelinku, e cila është zgjedhur pas propozimit të Partisë Demokratike, ka shpjeguar se një pjesë e mirë e rasteve ishin kur operatori teknik ka vendosur gishtin në pajisjen PEI për të qartësuar votuesin sesi bëhet votimi dhe se pajisja e identifikimit biometrik nuk lejon votimin e dyfishtë.
g.kosovari