Top Media përkujton sot Dritan Hoxhën, themeluesin dhe ëndërrimtarin që bëri realitet një perandori mediatike.
23 maji i 13 viteve më parë shënoi humbjen e njeriut që revolucionarizoi median në Shqipëri, por jo fundin e ëndrrave të Tanit. Projekti i tij vazhdon të vrapojë, të rritet, të sfidojë e kërkojë më të mirën për shqiptarët.
Dritan Hoxha e filloi rrugëtimin mediatik me krijimin e Top Albania Radios në vitin 1998, për të ndërtuar më pas projektin më të madh, më të ndjekur dhe më të besueshëm për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Revolucioni vijoi me lindjen e Top Channel, platforma televizive më e madhe e të gjithë shqiptarëve anembanë botës. Projekti i tij do të zgjerohej më pas me DigitAlb, Gazeta Shqip e Top News, për ta kthyer Top Median në një perandori mediatike në Shqipëri.
“Top Media” nën drejtimin e Dritan Hoxhës ishte dhe vijon të jetë një platformë tërësisht perëndimore. Hoxha do mbahet mend për risitë që solli, pasi u dallua për investimin e teknologjisë bashkëkohore teknike të konsideruar edhe si “revolucioni mediatik” në industrinë televizive në Shqipëri.
Tani i Topit u bë promotor edhe i projektit të guximshëm të futjes në Shqipëri të platformës dixhitale tokësore dhe më pas asaj dixhitale satelitore, platformë jo mjaft e përhapur në Evropë, si dhe programet televizive në celular.
Top Media u konceptua nga njeriu i ëndrrave si një familje e madhe që i mbante njerezit lidhur pas ekranit, jo vetëm duke i argëtuar, por mbi të gjitha duke i edukuar dhe informuar.
Me intuitën që e karakterizonte, Tani i Topit do të ishte gjithnjë në i pari që do sillte zhvillimet më të fundit teknologjike në Shqipëri.
Vizioni i tij vazhdon edhe sot. Top Media nuk është ndalur asnjëherë. Projekti i Tanit vijon të jetë platforma e të gjithë shqiptarëve.
Dritan Hoxha, përveç një pasurie kombëtare, na ka lënë mesazhin më të rëndësishëm për t’u ndjekur: kur e do punën që bën, gjithmonë ia del.
Ëndrra vazhdon!
Burimi: Gazeta SHQIP