Nga Nina L.Hrushchev, Project Syndicate
Deri në arritjen e armëpushimit, vëmendja e botës ishte tek sulmet ajrore të Izraelit ndaj Gazës, të cilat mund t’i kenë leverdisur kryeministrit Binyamin Netanyahu, i cili po përballet në gjyq me akuzat për korrupsion. Dhe për Netanyahun kjo nuk është e lehtë,pasi ai është i vetmi udhëheqës populist që rrezikon të dënohet.
Nga Austria në Britani dhe deri në Shtetet e Bashkuara, janë duke u zhvilluar hetime të ngjashme. A kanë gjetur më në fund demokracitë mjetet dhe gatishmërinë për t’i mposhtur armiqtë e tyre të brendshëm?
Ndërkohë, me akuza penale po përballen edhe disa nga bashkëpunëtorët më të afërt të Trump. Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudolph W.Giuliani, që u bë vitet e fundit avokati personal i Trump, po përballet me një hetim federal për marrëdhëniet e tij të dyshimta në Ukrainë.
Nëse akuzohet zyrtarisht, Giuliani, i cili u bë i njohur në vitet 1980 si një prokurori federal që luftonte mafian, nuk do të jetë miku i parë i Trump që përballet me ndjekjen penale. Ai do të ketë të njëjtin fat me shefin e shtabit të fushatës së Trump, Paul Manafort dhe këshilltarin e tij të parë të sigurisë kombëtare, Michael Flynn.
Ndërkohë, pas viteve të përçmimit të hapur të ligjit, Trump dhe miqtë e tij po marrin më në fund atë që meritojnë. Shumica e prokurorëve që kanë hetuar Trump dhe bashkëpunëtorët e tij, e kanë bërë këtë fare thjeshtë.
Mund të jetë e parakohshme të arrihet në përfundimin se institucionet demokratike të Amerikës, e kanë provuar tashmë qëndrueshmërinë e tyre. Një dokument gjyqësor i sapo-zbuluar, tregon se vitin e kaluar, Departamenti i Drejtësisë i Trump mori fshehtas autorizimin për të identifikuar një përdorues në Twitter, që po tallej me kongresmenin e SHBA-së, Devin Nunes, një aleat i ngushtë i Trump.
Joe Biden e anuloi vendimin. Por kjo nuk e ndryshon faktin se prokurorët e karrierës nuk u penguan në zbatimin e urdhrit të paligjshëm të administratës Trump. Kjo bëri që avokatët e kompanisë Twitter të këmbëngulnin në zbatimin e ligjit:“Twitter shqetësohet se ky akt nuk mbështetet nga një synim i ligjshëm”, thuhej në mocionin e kompanisë.
Në një rast të tillë “nuk mund të jetë nevoja, që qeveria ta demaskojë përdoruesin”.
Për më tepër, ankesa e Twitter e nxiti Gjykatën e Lartë të kryejë një “analizë kërkimore” për të përcaktuar nëse kërkesa “shkel amendamentin e parë”.
Dhe ky vështirë se ishte rasti i vetëm kur Departamenti i Drejtësisë pranoi kërkesat e dyshimta të administratës Trump. Edhe kur zyrtarët e lartë refuzuan, kishte nga ata që ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga detyrimet e tyre.
Për shembull, në ditët e fundit të administratës Trump, Prokurori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë, Jeffrey A. Rosen, refuzoi të bëhej pjesë e një skeme të ndyrë për t’i detyruar ligjvënësit lokalë në shtetin e Xhorxhias që të përmbysnin rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.
Por administrata e Trump gati e shkarkoi Rosen për shkak të rezistencën e tij, një plan ky i kurdisur me kreun e atëhershëm të divizionit civil të Departamentit, Jeffrey Clark. Kështu që po, institucionet juridike të Amerikës janë rikthyer në detyrë, por është e qartë se ato u përkulën shumë nën presidencën Trump. E si mund të jemi kaq të sigurt se tani nuk do të përkulen sërish, dhe madje t’i nënshtrohen tërësisht pushtetit në të ardhmen?
Ndërkohë, në Britani kryeministri Boris Johnson është nën hetim për pandershmëri të shumta etike. Kjo nënkupton se sundimi i ligjit është shëndoshë e mirë, edhe nëse “rrotat” e sistemit të drejtësisë lëvizin ngadalë. E megjithatë, ka sërish arsye të dyshohet nëse ato do të ecin gjithmonë përpara.
Johnson ka filluar një numër hetimesh mbi kolegët e tij të kabinetit, ku më i spikatur është ai mbi pretendimet se Ministrja e Brendshme Priti Patel bullizonte stafin e saj. Këshilltari i pavarur i Johnson mbi kodin që rregullon sjelljen e ministrave, tha se Patel e kishte shkelur këtë kod, një konstatim ky që zakonisht do të çonte në dorëheqjen e një ministri.
Megjithatë, Johnson i anuloi gjetjet e hetimit të pavarur. Sa i përket hetimeve në lidhje me shkeljet e tij, Johnson është treguar këmbëngulës për të mos lëshuar. Një histori e ngjashme po shihet në Austri, ku kancelari Sebastian Kurz ka manipuluar dhe minuar shpesh punën e hetuesve dhe prokurorëve.
Ai e ka quajtur “me të meta të mëdha” një hetim mbi një aferë korrupsioni të shkaktuar nga e ashtuquajtura “Çështja Ibiza”, ku lideri i koalicionit të ekstremit të djathtë u pa në një video të filmuar t`i ofronte kontrata fitimprurëse një kompanie ruse në këmbim të parave.
Tanimë, vetë Kurz po hetohet për ndërhyrje në këtë hetim. Por koha e hetimit – një moment kur popullariteti i Kurz është në rënie – ndoshta nuk është një rastësi. Skandali shpërtheu në vitin 2019, por vetëm tani gjyqtarët dhe hetuesit austriakë kanë guximin që ta sfidojnë Kurz.
Populistët pretendojnë se e bazojnë forcën e tyre në përfaqësimin e vullnetit të popullit, duke shfrytëzuar kërkesat e tyre për siguri, “rend dhe ligj”. Por e vërteta është se populizmi ushqehet nga dobësia njerëzore – ndrojtja, nevoja për një lider të fortë- nga e cila nuk janë imune as institucionet e zbatimit të ligjit. Dhe ndërsa populizmi mund të jetë duke u zbehur në shumë vende, dobësia njerëzore është një burim pafundësisht i ripërtëritshëm. /Përktheu: Alket Goce-abcnews
Shënim: Nina L.Hrushcheva, profesore e çështjeve ndërkombëtare në Shkollën e Re, është bashkë-autore e librit “Në gjurmët e Putinit: Kërkimi i shpirtit të një perandorie nëpër 11 zonat kohore të Rusisë”.