Është përkujtuar 48 vjetori i revoltës së Spaçit në një aktivitet të organizuar nga shoqata e ish-të dënuarve politik. Me këtë rast rruga që të çon në burgun famëkeq të Spaçit mori emrin “Rruga e Mundimeve” në nder të familjarëve të ish-të dënuarve.
“Rruga prej këtu ka qene jashtëzakonisht e vështirë për familjarët. Ngarkuar në radhë të parë me emocione,dashuri, përkushtim por dhe me ushqime dhe mjete të tjera jetësore, janë detyruar ta bëjnë këtë rrugë nga këtu deri në burgun famëkeq të Spaçit në çdo kohë të vitit”, tha Luigj Mila, Drejtuesi i Shoqatës “Muzeumi i burgut të Spaçit”.
“Kjo është një rrugë vërtet e mundimeve. Paralelizmi është me rrugën që bëri Krishti me kryqin në qafë. U detyruam për 45 vjet të ngrinim kryqin tonë, vajza, djem, fëmijë, pleq, plaka, burra me mundim të madh e përshkruan këtë rrugë për të parë djem, baballarë në një nga kampet më të tmerrshme të përqëndrimit”, theksoi Nebil Çika, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste te ish-të përndjekurve politik.
Familjarë të ish te burgosurve, tregojnë vështirësitë dhe mundimet për të vizituar njerëzit e tyre në qelitë e burgut.
“Kjo rrugë ka qenë shumë e vështirë për familjarët që kanë ardhur. Mua më kanë ardhur familja një herë në muaj dhe më është dashur shume herë vëllai im për të mbajtur nënën time në krahë për ta çuar në burgun e Spaçit se ajo ishte dhe në moshë”, tha Zenel Drangu, familjar i ish-të burgosurve.
Ceremonia u organizua ne përkujtim te 48-vjetorit të revoltës së Spaçit.
Shqiptarja.com