Nga Adriatik Doci
Sipas një qëndrimi publik dhe zyrtar të Partisë Demokratike, të datës 10 mars 2021, Sali Berisha duhet të përjashtohet nga Parlamenti i ardhshëm që prodhuan zgjedhjet e 25 prillit 2021, pasi përbën rrezik dhe kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për ta përfshirë familjarisht në listën e zezë, për korrupsion të rëndësishëm, përdorimin e pushtetit për t’u pasuar vetë dhe aleatët, pengimin e drejtësisë për të vepruar ndaj saj dhe për minimin e demokracisë në Shqipëri. Në bindjen e PD-së, personat e shpallur non grata nga SHBA, siç është edhe Berisha, ndalohen nga ligji i dekriminalizimit për të ushtruar funksionin e deputetit. PD-ja me në krye Lulzim Bashën interpretonte ligjin e dekriminalizimit për rastin e Tom Doshit, i ngjashëm me rastin e Berishës, që të dy tashmë pjesë e listës së zezë.
Në 10 mars 2021, Partia Demokratike ka bërë këtë deklaratë: “Partia Demokratike i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mos e rregjistrojë Tom Doshin në zgjedhjet e 25 Prillit. Tom Doshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit, neni 2, Tom Doshi ndalohet të kandidojë, pasi ai është i dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urdhri i Sekretarit Amerikan të Shtetit ia ndalon atij hyrjen në SHBA, duke përbërë shkak ligjor për ndalimin e kandidimit të Tom Doshit në zgjedhjet e 25 Prillit 2021. PD i bën thirrje KQZ të zbatojë ligjin dhe të marrë këtë vendim, në interesin më të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”.
Që personat e shpallur non grata përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA, konfirmohet edhe nga një njoftim i Shtëpisë së Bardhë të vitit 2017, ku sqarohet se njerëzit nga Ballkani të shpallur non grata “ vazhdojnë të paraqesin kërcënim të madh për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së”. Pra, përveç minimit të demokracisë në vendet e tyre, DASH u ndalon hyrjen në SHBA politikanëve të korruptuar, duke i identifikuar si kërcënim për sigurinë kombëtare.
Po cila është pika në ligjin e dekriminalizimit që PD, me të drejtë, thotë se ndalon njerëzit e listës së zezë të SHBA për t’u bërë pjesë e Parlamentit?
Me këmbënguljen e Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në vitin 2015 ligjin për dekriminalizimit e Parlamentit dhe të gjithë piramidës shtetërore në Shqipëri. Ligji për dekriminalizimin, në shkronjën ‘b’ të pikës 2 të nenit 2, ndalon që zgjidhen deputet apo të marrin mandatin e deputetit pasi janë zgjedhur për personat që janë dëbuar nga SHBA për cenim të sigurisë publike. Konkretisht, në ligj thuhet se panalizohen ata “që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, në lidhje me një prej rasteve të parashikuara në pikën 1, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të këtij neni, apo janë dëbuar për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike të shtetit përkatës”.
Sali Berisha u rizgjodh deputet në zgjedhjet parlamentare të 21 prillit 2021. Berisha nuk është dëbuar nga SHBA, por nga ana tjetër, në bazë të vendimit të DASH, përbën kërcënim serioz për sigurinë e SHBA. Gjithashtu, Berisha është kualifikuar si kërcënim për sigurinë e SHBA, në përputhje me kriteret ndaluese në ligjin e dekriminalizimit që kanë të bëjnë me korrupsionin.
Edhe pse PD është e bindur për qartësinë e ligjit në këtë rast, një interpretim përfundimtar nëse shkronja ‘b’ e pikës 2 të nenit të 2 të ligjit të dekriminalizimit e ndalon apo jo Sali Berishën që të marrë mandatin e deputetit në shtator, u takon institucioneve ligjzbatuese, si Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KAS, Kolegjit Zgjedhor dhe ndoshta një interpretimi nga Gjykata Kushtetuese, por edhe Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK, organe të cilat mund të marrin informacione më të detajuara rreth veprimtarisë së Berishës.
Nga ana tjetër, ky parashikim në ligjin e dekriminalizimit mendohet se ka ndikuar që Tom Doshi të tërhiqej nga Parlamenti i ri, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, duke vendosur një standard sfidues për Sali Berishën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan hapur që Tom Doshi të mos kandidonte për deputet, pikërisht duke u bazuar në faktin e përfshirjes së tij në listën e zezë, që nënkupton kërcënim për sigurinë e SHBA. Një deklaratë e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim para zgjedhjeve është shumë e qartë dhe nuk lë vend për interpretime.
Yuri Kim tha se “Kjo nuk ka të bëjë me nëse Shtetet e Bashkuara pëlqejnë apo nuk pëlqejnë dikë, por ka të bëjë me nëse Sekretari i Shtetit ka vendosur, pas kërkimit, informacionit, dhe kohës të bollshme që dikush përbën kërcënim për sigurinë e SHBA. Dhe nëse dikush është kërcënim për sigurinë e SHBA, mendoj se është e vlefshme që votuesit shqiptarë dhe autoritetet shqiptare të shqyrtojnë nëse ky person mund të jetë një kërcënim edhe për sigurinë tuaj”.
Deklaratat e Yuri Kim janë mbështetur publikisht nga Partia Demokratike, përmes deklaratave zyrtare. Mbetet për t’u parë nëse Partia Demokratike do t’i qëndrojë këtyre deklaratave apo do t’i mohojë për të mbrojtur Berishën.
Nga ana e tij, Sali Berisha, jo vetëm nuk u ngrit në standardin e Tom Doshit, por nisi me shpejtësi manovrat me qëllim për të mbajtur nën kontroll Partinë Demokratike, për t’u mos u larguar nga grupi parlamentar i PD dhe për të mos humbur mandatin e deputetit. Berisha doli në një konferencë për shtyp dy ditë më parë, duke pretenduar se do të hedhë në gjyq Sekretarin Amerikan i Shtetit Antony Blinken për shpifje. Kur u pyet nga gazetarët nëse do të hiqte dorë nga mandati i deputetit, Berisha paralajmëroi kandidimin edhe në zgjedhjet e 2025. Lëvizja duket se është një manovër e mirëmenduar, për ta përdorur gjyqin si alibi nëse KQZ vihet në lëvizje për t’i hequr mandatin e deputetit.
Në rast se KQZ vihet në lëvizje për të shqyrtuar nëse Berisha është subjekt apo ndalues i ligjit të dekriminalizimit, Berisha do ta përdorë gjyqin si alibi, duke pretenduar se shpallja e tij non grata është në shqyrtim nga Gjykata Korreksionale e Parisit! Gjithashtu, me këtë lëvizje Berisha justifikon PD për të mos e përjashtuar nga grupi parlamentar, edhe pse tashmë në listën e zezë të SHBA. Ndonëse juristët e shohin të thuajse të pamundur që një padi e tillë të pranohet për t’u shqyrtuar nga gjykata franceze, për Berishën kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi me lëvizjen e tij tashmë e ka realizuar qëllimin, për të mos lëshuar PD-në dhe mandatin nga duart. ( shqiptarja.com)
/b.h