Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Olsi Sefollin, drejtuesin e fugonit që vinte nga Anglia, ku u gjetën 12 pako me 123.000 paund në kesh.
Mjeti i transportit, furgoni, i cili drejtohej nga Olsi Sefolli nga Hamallaj, i përket një shoqërie transporti me vendndodhje në Britaninë e Madhe në emër të shtetasit Guxim Sefolli dhe funksiononte për transportin e mallrave Angli – Shqipëri, si postë private.
Duke qenë se fugoni në fjalë kohët e fundit kishte bërë shumë hyrje-dalje, Policia Kufitare kishte ngritur dyshime dhe kishte vënë në dijeni edhe Policinë e Shtetit.
Menjëherë sapo mjeti ka zbritur nga trageti i linjës Ankona-Durrës, në port e prisnin forca të shumta policie dhe drejtuesit e saj.
Fugoni, brenda të cilit ndodheshin pako të porositura apo dërguar nga persona të ndryshëm mes tyre veshmbathje dhe orendi apo pajisje shtëpiake, u dërgua në skaner dhe rezultoi se në brendësi të ngarkesës ndodheshin një sasi e madhe paundësh të padeklaruara./ b.h