Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot në “Java në RTSH” se mazhoranca do t’i qëndrojë premtimit për rritjen e pagës minimale deri në 40 mijë lekë brenda mandatit të 3-të qeverisës.
Sipas ministres Denaj, rritja e pagës minimale ka si synim kryesor rritjen e vlerës së punës dhe ajo ndodh përmes këtyre instrumenteve.
Denaj tha se premtimi për rritjen e pagës minimale është i bazuar në një strategji të qartë se ku duhet të shkojë Shqipëria e 2030-s.
“E kemi marrë në 2013-n 22 mijë lekë, e kemi çuar në 30 mijë lekë dhe në 4 vitet e ardhshme do ta çojmë në 40 mijë lekë. Kjo synon ti rritet vlera punës dhe ajo rritet përmes këtyre instrumenteve, që nuk janë shqiptare”, tha ministrja.
Sipas ministres Denaj, rritja e pagës minimale rrit edhe kontributet për pensionet.
Ministrja komentoi edhe premtimin e Partisë Demokratike në fushatën elektorale ku theksohej se do të ulen kontributet dhe rriten pensionet.
Aktualisht, bëri të ditur ajo, sot skema e pensioneve është defiçitare dhe buxheti kontribuon me rreth 50 miliard lekë. Kjo vjen nga informaliteti, paga minimale e ulët apo edhe strukturës së popullsisë.
“Nuk do të kishte një reformë të suksesshme pensionesh duke rritur shpenzimet për pensionet nga buxheti i shtetit. Nëse sot është 50 miliardë lekë ata do ta çonin në 100 miliardë lekë“, shtroi pyetjen ministrja në emisionion “Java në RTSH”.
/ b.h
Brenda mandatit te trete?! Kryeminsitri sikur tha nga 2022 paga minimale behet 40 mije leke