Sali Berisha ka lajmëruar pasi ndaj Antoni Blinken, sekretarit amerikan të shtetit duke thënë se po e bën këtë për të vendosur dinjitetin e tij në vend.
Është e drejte e çdo qytetari shqiptar të reagoje nëse mendon që ndaj tij mund të jetë bërë ndonjë padrejtësi. Aq më tepër e një personi me staturën e Sali Berishës, që ka perfaqësuar vendin si Kryeminister e si President.
Por një person i thjeshtë, në ndryshim nga Sali Berisha nuk përbën lajm si Sali Berisha.
Ky i fundit duke qenë figura dominante politike e 30 viteve të fundit në vend ka rezonancë si në Shqipëri, si ne Kosovë, si në Maqedoni, por edhe në botë.
Këtë e pamë të mërkurën kur shkruajtën të gjithë për të. Problemi i vetëm qëndron te akuza që i bëhet Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo për korrupsion, që Berisha u ndal gjatë ta shpjegonte se që nga dita që ka firmosur për herë të parë në bordero e deri tani ai nuk është akuzuar asnjëherë nga drejtësia për asnjë akt korruptiv.
Shtetet e Bashkuara mund të kenë arsyet e tyre, të dhënat e tyre dhe gjithçka tjetër që të bëjnë një akuzë të tillë. Ndërsa ndaj zotit Berisha dhe fëmijeve të tij ka pasur plot akuza publike në 8 vitet e qeverisjes, ku mjafton të shihet shumëfishimi i pasurisë në deklaratat e përvitshme që dikush të ketë qoftë edhe një dyshim të vogël.
Gjithsesi, ky argument mund të jetë ndoshta pjesë e ndonjë hetimi të drejtësisë shqiptare. Ajo që është pjesë e të paktën ndershmërisë intelektuale të atyre që e ndoqën konferencën për shtyp të zotit Berisha është mungesa e përgjigjes për një pyetje që iu bë të paktën dy herë.
Nëse herën e parë mospërgjigja mund të shihet si harresë, në të dytën kushdo ngre pikpëpyetjen se përse Berisha e anashkaloi përgjigjen e një pyetjeje të thjeshtë: kush do t’i paguaje shpenzimet e mbrojtjes së zotit Berisha në gjyqin që do të hape ndaj SHBA?
Një gjyq i tillë, atë gjykatë ku do te shkoje Sali Berisha kushton. Kushton edhe shumë me tepër se paga vjetore e tij si deputet, benefitet nga postet që ka mbetur, pensioni dhe gjithçka tjetër që mund te deklaroje ai, të mbledhura bashkë. Prandaj, mos bëhet fjalë për një gjyq që zoti Berisha tha se do të hape për të vendosur në vend dinjitetin e tij për akuzat për korrupsion, gjëja e parë që duhet të bënte do të ishte të tregonte se si do ta paguaje ai gjyqin.
Gazeta SI