Një tjetër detaj është zbuluar pas vrasjes së 2-vjeçarit Endri Mustafa në qytetin e Shkodrës. Sot në gjykatë, bashkëshortja e Mustafës, Ingrid Mustafa, ka rrëfyer se i shoqi ishte i dënuar për dhënie parash me fajde, ndërsa në shtëpi ishte kthyer në ditën e Bajramit, 13 maj. Më 14, ka qenë 15-vjeçari Ergys Malja, i cili i ka bërë një bisedë për t’i shitur një qengj për 40 mijë lekë të vjetra, ndodhi që konfirmohet nga rrëfimi i të miturit në polici. Mustafa i kishte marrë paratë tek e ëma, ndërkohë që me Ingridin kishte folur për një “muhabet” që kishte bërë me 15-vjeçarin Ergys Malja.
Ingrid Mustafa nuk ka rrëfyer nëse kjo bisedë pune lidhej me atë që Malja tregon se kishte ndarë me viktimën faktin se kishte mbjellë disa rrënjë kanabisi, por ajo pohon se i është drejtuar me fjalët “çfarë merresh me të, ai është fëmijë, është hajdut, pash Zotin mos u merr me të.”
Por ka qenë nëna e Endri Mustafës, ajo që ka paralajmëruar se mos Malja e nxirrte në pritë. “O mami, ruaju prej tij se po të bën ndonjë prapësi dhe të nxjerrë në pritë dikund. Ai është i poshtër, a të kujtohet që para një viti ky të ka thënë vetë që merr 3 mijë euro për të nxjerrë në pritë dikë tjetër.”
Por 32-vjeçari është shprehur i bindur se “nuk ka çfarë më bën një fëmijë” dhe ka vendosur të shkojë me Ergys Maljan për në zonën e Livadheve atje ku do të merrte një sasi të premtuar hashashi. Por në vend të drogës, atje gjeti Ibrahim Licin, i cili e vrau.
g.kosovari