Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka komentuar sërish vendimin e DASH që shpalli “non grata” ish-kryeministrin Berisha. Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se tani i takon drejtësisë që të bëjë detyrën e vet, pa u ndikuar politikisht.
Sipas Ballës, SHBA ka zgjedhur këto instrumente, për ti dhënë mesazhe vendeve dhe demokracive përkatëse, pasi sic u shpreh ai, kjo nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri.
“Rasti i djeshëm është kuptimplotë i sjelljes sipas legjislacionit përkatës të vendeve aleatë të Shqipërisë për tu marrë në konsideratë. Edhe pse në këtë sallë u risoll vendimi i Sekretarit të Shtetit Blinken, le ta lemë aq të bukur si është dhe të mos hyjmë në asnjë koment dhe në asnjë nuance të atij vendimi, sepse është aq i bukur siç është dhe aq i rëndësishëm sic është dhe secili ta lexojë ashtu siç është vendimi.
Unë mendoj se ne duhet të kuptojmë se SHBA kanë zgjedhur këto instrumente për ti dhënë mesazhe vendeve përkatëse, demokracive përkatëse. Nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri.
Ne duhet ta respektojmë si të tillë dhe natyrshëm që drejtësia duhet të bëjë detyrën e vet. Këtu bie dakord me Gjonin, sepse në fund të fundit janë çështje që i takojnë drejtësisë. Shpresoj që drejtësia të bëjë detyrën e vet pa asnjë ndërhyrje politike. Ajo që duhet të besojmë është se para drejtësisë duhet të jemi njësoj”, tha Balla ndër të tjera./ b.h