Zbardhet dëshmia e 15-vjeçarit të arrestuar për vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër. 15-vjeçari fqinj me viktimën u arrestua si bashkëpunëtor në vrasje. Ai ka akuzuar drejtpërdrejt Ibrahim Licin si autor duke treguar dhe bisedën e fundit mes tij dhe viktimës.
Ai ka thënë se me viktimën kishin bërë muhabet hashashi dhe natën e ngjarjes, kishte shkuar për ta ndihmuar 15-vjeçarin ta çonte kanabisin në shtëpi.
“Biseduam me Endrin për t’i shitur një qengj. Rreth orës 18:00 i çova qengjin Endrit. Me Endrin kam bërë muhabet hashashi. I thashë Endrit se kisha mbjellë hashash. Hashashin e kisha mbjellë në zonën e livadheve. Më tha ‘do të ndihmoj të çosh kanabisin në shtëpi’. Pas kësaj rreth orës 22:00 u nisëm drejt livadheve. Ibrahim Lici na doli përpara, kishte armë. Lici doli në vendin e quajtur gropa e ekskavatorit. Lici kishte armë në dorë, qëlloi Endri Mustafën. Endri i tha ‘mos me vrit pash Zotin se kam fëmijë’. Ibrahim Lici e qëlloi përsëri madje dhe në fytyrë. Ibrahim Lici i tha Endrit ‘qofsh i xhenetit’ dhe u largua me motor nga vendngjarja”, ka deklaruar minoreni.
Si ndodhi vrasja?
Trupi i pajetë i Endri Mustafës u zbulua më 17 maj, 3 ditë pasi familja e tij e kishte denoncuar si të zhdukur. Mustafa u gjet në zonën e Livadheve, i masakruar dhe me një plumb në gojë. Trupi i tij ishte tërhequr zvarrë për disa metra, ndërsa autori kryesor i vrasjes deri më tani sipas Policisë së Shtetit është Ibrahim Lici, 27 vjeç. Ai është shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës, ndërsa akuzohet se më herët ka vrarë dy vëllezërit Brahim dhe Astrit Bilali.
Por pse u vra Mustafa?
Viktima është një emër i njohur për Policinë e Shkodrës. Ai është përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale që prej vitit 2009 kur ishte dënuar për plagosje dhe dyshimet kryesore të autoriteteve janë se ai është vrarë për shkak të luftës mes bandave në Shkodër dhe faktit se ai njihej nga autori si “ushtari” i familjes Bilali. Por edhe pse Ibrahim Lici akuzohet nga policia si vrasës, i ati duke ndjekur rregullat e fqinjësisë ka shkuar për ngushëllim te familja e të ndjerit, në një situatë të pazakontë ku edhe gruaja e Mustafës e ka hequr fajin nga 27-vjeçari.
g.kosovari