Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall sot “non grata” duke u futur në listën e zezë nga SHBA, së bashku me familjen. Por a është i apelueshëm ky vendim i Departamentit Amerikan të Shtetit? Gazetarja e “Zërit të Amerikës”, Keida Kostreci u shpreh se një sanksion i tillë nuk mund të apelohet, pasi nuk është vendim gjykate.
Kostreci tha se vendimi është marrë shumë kohë më parë dhe kjo do të thotë që DASH ka siguruar informacione ndër vite. Për Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken. Kostreci tha se ai vetë e ka marrë vesh vetëm pak çaste para se ta bënte publik vendimin.
“Po nuk është vendim gjykate kështu që nuk ka sesi të apelohet. Jo nuk e besoj se mund ta bësh, ose mund të përpiqesh ta bësh, mendoj unë, por për derisa është përfolur një gjë e tillë dhe përderisa merret në këtë moment të caktuar do të thotë që informacioni është mbledhur gjatë një kohe të gjatë. Por me ata persona që ne kemi komunikuar na është thënë që vendimi nuk është marrë sot për nesër, kjo do të thotë që vendimi është marrë kohë më para. Mendja ta do që një Sekretar Shteti ka informacione të shumta. Shumë nga ata që janë vënë në lista të tilla e kanë kundërshtuar.
Nëse mund të kundërshtohen me të dhëna të tjera nga Berisha nuk e di nëse mund ta quaj apel, sigurisht që njerëzit kur janë vendosur në lista të tilla e kanë kundërshtuar, por nuk do të thosha që kjo do të ishte një cështje e apelueshme ose që mund të ndryshonte nesër, pasnesër, nuk është se e kam atë informacion të plotë, por meqë nuk është cështje gjykate nuk besoj që apelimi është diçka që mund të bëhet në këtë moment të caktuar” tha gazetarja te “Opinion”.
Sali Berisha pasditen e djeshme reagoi duke e cilësuar vendimin pa baza, ndërsa i kërkoi SHBA-së që të nxjerrë provat mbi të cilat janë mbështetur për ta shpallur “non grata”.
g.kosovari