Shtrimet në spitalet Covid në vendin tonë gjatë javës së fundit kanë rënë afërsisht me 3 pacientë në ditë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë nga 96 të shtruar që rezultonin në 11 Maj, numri zbriti në 80 pacientë në 17 Maj, 16 pacientë më pak.
Durrësi mban numrin më të lartë të të shtruarve në spital krahasuar me rastet pozitivë aktivë. 20 % e rasteve aktive po marrin ndihmë mjekësore në spital. Pas tij vjen Elbasani me 10.5 % dhe pastaj me radhë vijnë Fieri dhe Vlora me 8 % të të infektuarve aktivë të shtruar në spitalet Covid.
Kryeqyteti që mban edhe numrin më të lartë të të infektuarve aktivë me afërsisht 3300 raste, ka të shtruar në spital vetëm afro 1 % të tyre. Vetëm 36 pacientë po marrin ndihmë mjekësore në dy spitalet Covid. Në Shqipëri aktualisht rezultojnë 4200 të infektuar aktivë.
Prej afro një muaji në vend po regjistrohen shifra të ulëta infektimesh dhe shtrimesh në spital. Ekspertët thonë se tashmë personat që kanë nevojë për hospitalizim po qëndrojnë më pak se dy javë në spitalet Covid për shkak të rënies së agresivitetit të virusit. Po ashtu imunizimi natyror dhe vaksinimi kanë ndikuar në përmirësimin e situatës së pandemisë.
/a.r