Policia e Durrësit ka arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe plagosje të rëndë me dashje, në kuadër të operacionit “Last Step”.
Në pranga ka rënë 31-vjeçari Fatjon Iljaz (Nina), me qëllim ekstradimin drejt Italisë, pasi Gjykata e Barit, ka lëshuar urdhër-arresti për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i policisë:
Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 31-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me agjentët e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Durrës, Fast Albania dhe Interpol Tirana, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Last Step”, në kuadër të të cilit u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit F. I.(N.), 31 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale” Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja me dhunë” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Barit, Itali, ka lëshuar urdhër-arresti për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
/a.r