Komisioni Zgjedhor i Partisë Demokratike ka vendosur ditën e hënë që të caktojë modalitetet për paraqitjen e kandidaturave për Kryetar të Partisë Demokratike.
“Sipas pikës 4 të nenit 10 të Statutit të PD, zgjedhja apo caktimi në funksione brenda Partisë bëhet bazuar në: kohëzgjatjen e anëtarësimit në parti apo shfaqjes si simpatizant i saj; kontributit në fushata elektorale; kontributit profesional e politik në parti, si dhe në promovimin e vlerave themelore që udhëheqin PDSH-në; aktivizimit në jetën politike e publike të vendit; mbrojtjes në vazhdimësi të interesave, vlerave dhe programit të PDSH-së; si dhe reputacionit në radhët e anëtarësisë dhe/ose shoqërisë në tërësi”, thuhet në një njoftim.
Sipas Komisionit Zgjedhor çdo kandidat që plotëson kriteret statutore ka të drejtë të paraqesë kërkesën për konkurrim pranë Sekretarisë së Komisionit, në selinë qendrore të Partisë Demokratike, duke plotësuar formularin e miratuar me vendim të Komisionit. Kërkesa për kandidim duhet të paraqitet deri në datën 22 Maj.
Demokratët do të shkojnë në zgjedhje më 13 Qershor për të votuar për kryetarin e ri të partisë.
Deri më tani kandidaturën për drejtimin e selisë blu përveç Bashës e ka hedhur Fatbardh Kadilli. Po ashtu, edhe “Grupimi për PD” ka deklaruar se do të dalë me një kandidat në këto zgjedhje.
/a.r