Zbulohet emri i kompanisë që kishte porositur ngarkesën me mish nga Brazili, ku u gjetën sot 400 kg kokainë që kishin kaluar nga Porti i Durrësit.
Gazetarja Dorjana Bezat bën me dije për “BalkanWeb” se ngarkesa me mishi ishte porositur nga kompania Mcfood. Kjo kompani ka filial edhe në Shqipëri dhe në rajon me të njëjtin emër tregtar, por me pronar të ndryshëm.
Ndërkohë pronari i filialit në Shqipëri Bledar Habili tha në një komunikim me gazetaren Dorjana Bezat se nuk ka asnjë lidhje me ngarkesën e porositur nga kompania në Kosovë.
DEA Amerikane, e cila ka sinjalizuar për ngarkesën, ka dhënë informacion se bëhet fjalë për një sasi kokaine, me destinacion Lipjanin e Kosovës.
Ngarkesa është mbajtur nën vëzhgim nga Amerika Latine në nisje, në portin e Gioia di Tauro në Itali dhe më pas në Portin e Durrësit, në Shqipëri, ku qëndroi mbi 15 ditë.
Më pas, kontejneri është vendosur mbi një kamion, i cili është tërhequr nga një kamion tjetër, duke ecur të dy njëri pas tjetrit në Kosovë./ b.h