Dakordësia verbale midis dy shoferëve të përfshirë në aksidente, e aplikuar shpesh, duke shmangur thirrjen e Policisë së Shtetit, do të formalizohet.
Që me prerjen e policës së sigurimit, çdo posedues mjeti do të ketë në makinë “Vërtetimin miqësor të ngjarjes” (dokumentin në faksimilen bashkëngjitur shkrimit), që rregullon dëmshpërblime për vlera deri në 30 mijë lekë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e ka nxjerrë për konsultim dhe pret miratimin nga bordi për të hyrë në fuqi në 1 korrik të këtij viti. Dëme të kësaj kategorie nuk janë pak, por 30-35 për qind e aksidenteve, referuar të dhënave zyrtare nga kompanitë e sigurimit.
Deri më sot, këto raste janë trajtuar sipas procedurave standarde të zgjatura në kohë. Puna për dëmshpërblim nis 30 ditë nga marrja e kërkesës, si edhe përmes plotësimit të një sërë dokumentesh, përfshirë edhe procesverbalin e konstatimit të shkeljes nga Policia Rrugore.
Në zbatim të ligjit të ri për sigurimin e detyrueshëm, AMF ka hartuar “Raportin europian të aksidenteve”, ose siç AMF e quan “Vërtetim miqësor i ngjarjes”, që nga vetë emri presupozon që përplasja me pasoja të lehta të zgjidhet me konsensus. Kështu, palët duhet të bien dakord fillimisht për shkaktarin e dëmit që më pas të ulen për të plotësuar formularin, i cili mundëson dëmshpërblim të shpejtë te kompania siguruese. Por nuk mjafton vetëm kaq. Bashkë me të nevojiten prova. Palët e përfshira duhet të bëjnë pak a shumë rolin e “policit” duke dokumentuar ngjarjen. Më konkretisht, nevojiten fotografi të mjeteve në momentin e aksidentit para lëvizjes së mjeteve nga një distancë e afërt dhe e largët, pa harruar gjurmët apo pozicionimin e mjeteve në momentin e përplasjes.
Po ashtu, edhe foto të qarta të pjesës së dëmtuar bashkë me targën, dokumentet e identifikimit të personave dhe makinave të përfshira në aksident. “Vërtetimi miqësor i ngjarjes” jepet nga kompania e sigurimit në momentin që pritet polica dhe këshillohet të mbahet në makinë për t’u përdorur në rast aksidenti. Me rëndësi është dorëzimi brenda pesë ditësh nga përplasja, jo më vonë. Pavarësisht cili është mjeti fajtor, dokumenti për zgjidhjen me mirëkuptim të aksidentit duhet të nënshkruhet nga të dy drejtuesit e mjeteve. Të dy duhet të bien dakord që përplasja ka ndodhur sipas rrethanave, modaliteteve dhe pasojave të pasqyruara në formular.
BENEFITET
Në thelb, zbatimi i “Raportit europian të aksidenteve” sjell reduktim të dokumentacionit, që i siguruari duhet të paraqesë pranë shoqërisë së sigurimit për të përfituar dëmshpërblimin. Në këtë mënyrë, i siguruari do të ketë më pak kosto financiare, por edhe do të shpenzojë më pak kohë për plotësimin e dokumenteve të kërkesës për dëmshpërblim.
Përfshirja e kësaj praktike të njohur dhe të aplikuar në të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe jo vetëm, zgjidh me mirëkuptim rastet e aksidenteve me dëme të vogla, që ndodhin kryesisht në rrugët urbane (brenda qyteteve), në rrugicat e lagjeve, në parkingje e të tjera, duke shmangur edhe konfliktet mes drejtuesve të mjeteve, si edhe duke shkurtuar afatet e pagesave të dëmshpërblimit.