Thomas Strakosha do t’i japë lamtumirën Lacios në verë, pasi nuk dëshiron që të qëndrojë më në klubin italian ku tashmë është një zgjedhje e dytë pas Pepe Reina. Kjo situatë ka bllokuar edhe tentativat për rinovimin e kontratës së gardianit kuqezi që në fillim të sezonit dukej e sigurt.
Një bllokim që fillimisht mendohej se vinte nga pakënaqësitë e lojtarit, por që sipas gazetarëve të njohur me burime pranë klubit, kanë lidhje me situatën shëndetësore të futbollistit. Alberto Abate i “Il Messaggero”, bën të ditur se mungesa e rinovimit ka ardhur për faktin se klubi ka zbuluar së fundmi një probleme shqetësues për Strakoshën.
Sipas tij, klubi në testet që ka kryer portieri në Gjermani, kur po rikuperonte nga dëmtimi i fundit, ka zbuluar se Strakosha ka një kërc në menisk që duhet rindërtuar, pasi e ka dëmtuar keqazi që kur ka qenë në moshën 15-vjeçare. Ai i sjell këto probleme të vazhdueshme që tashmë janë kthyer thuajse në kronike për lojtarin dhe e pengojnë të japë maksimumin.
Në një situatë të tillë, i njëjti burim sqaron se Lacio ishte munduar që të gjente një sistemim për lojtarin që në janar, por ai ishte i dëmtuar e kështu çdo negociatë ishte mbyllur shumë shpejt. Megjithatë, situata do të jetë ndryshe në verë, pasi largimi i Strakoshës tashmë duket i pashmangshëm.