Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të përfundojë brenda vitit. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kanë inspektuar punimet në spitalin ku do të përfitojnë 109 mijë pacientë.
“Spitali i Ri i Sëmundjeve të Brendshme ka ecur në një nivel të ri të investimit, që tashmë qeveria shqiptare ka filluar prej 14.8 milionë euro. Po ecim me ritme të mira dhe brenda dhjetorit përfundon ky spital.
Interesante në këtë spital është lidhja që i bëhet kësaj godine me godinën aktuale, ku nëpërmjet dy urave lidhen direkt këto dy spitale, duke bërë një trup dhe duke mundësuar eficencën e shërbimeve”, tha Manastirliu.
Duke folur për kapacitetet e spitalit të ri, Manastirliu u shpreh:
“Këtu në total do të kemi 271 shtretër, të ndarë sipas shërbimeve të kardiologjisë, hematologjisë, endokronologjisë, gastrohepatologjisë, nefrologjisë, alergologjisë, dermatologjisë, etj.
Ndërkohë që gjithë zhvillimi i këtij spitali është i projektuar që të integrohet me godinën e parë, duke ofruar kështu rienergjizim të gjithë kapaciteteve aktuale dhe gjithashtu dhe këtyre ambienteve të reja. Po krijojmë edhe një mënyë të re të organizimit aktual të shërbimeve për Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme”, deklaroi Manastirliu.
Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ofrojë shërbimin e mjekësisë interne, shërbimin e reumatologjisë, alergologjisë, dermatologjisë dhe fizioterapisë që aktualisht ndodhen në godina të tjera të QSUT, dhe së bashku me shërbimet ekzistuese, ato të gastrohepatologjisë, hematologjisë, endokrinologjisë, nefrologjisë, dializës, njësisë së kardiologjisë, hemodinamikës dhe reanimacionit të kardiologjisë do të kompletojnë profilin e një spitali të mirëfilltë të sëmundjeve të brendshme.
Spitali i ri do të ketë edhe një spital ditor me 60 shtretër, për rritjen e eficiencës së shërbimeve.
Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ketë 9 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë, ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim.
Ndërsa kryemisnitri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook” se ky spital është një infrastrukturë ultramoderne e standarteve më të larta bashkëkohore. Kreu i mazhorancës shkruan se ska kohë për pushim duke postuar edhe videon e spitalit të ri.
g.kosovari