Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar në Shkup ka ngritur aktpadi kundër ish-kryeministit të arratisur Nikolla Gruevski në bazë të dyshimeve lidhur me përvetësimin e 1.3 milion eurove nga donacione të partisë (VMRO-DPMNE) dhe për blerjen e paligjshme të parcelave në lagjen elitare Vodno në kryeqytet.
Në mesin e gjashtë të akuzuarve është edhe ish-shefi i shërbimit sekret maqedonas, Sasho Mijallkov, i cili është në lidhje të ngushta familjare me zotin Gruevski.
Akuza është ngritur për ‘larje parash’ përmes kompanive ‘off-shore’, ndërsa lënda është hapur më parë nga ish-Prokuroria e Posaçme për vepra që datojnë nga qershori 2006 deri në tetor, 2012.
Prokuroria themelore e krimeve ka propozuar konfiskimin e pronave problematike. Prokuroria njofton se Gruevski, të cilit në fakt i referohet me inicialet N.G., nuk e kishte deklaruar pronën prej mbi 11 mijë metrash katror në Vodno para organeve përkatëse, më saktë tek Komisioni antikorrupsion gjatë kohës sa ishte bartës i funksionit. Ai nuk kishte deklaruar as pronësinë e dy banesave në qendër të Shkupit dhe parcela të tjera ndërtimi në Shkup e Krushevë.
Zoti Gruevski, ndërkohë po bën dy vjet e gjysmë nga arratisja në Hungari, ku autoritetet e atjeshme i kanë dhënë strehim, teksa refuzojnë ekstradimin e tij. Ai njihet për lidhjet e afërta me kryeministrin Viktor Orban.
Gruevski është dënuar me dy vjet burg për veprën penale që kishte të bëjë me blerjen e një Mercedesi të blinduar prej rreth 600 mijë eurosh, e më pas, në mungesë, edhe me 1.5 vjet heqje lirie për nxitjen e dhunës në komunën “Qendër” të Shkupit. Ai dyshohet edhe si krye-organizator i ngjarjeve të dhunshme në parlamentin e Maqedonisë së Veriut në prill, 2017, por zyrtarisht nuk është ngritur akuzë për këtë.
Në Shkup ka pasur mjaft debate dhe akuza për arratisjen e ish-kryeministrit, por askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë. /VOA
g.kosovari