Dita e sotme shënoi dhe festën e Bajramit ku besimtarët myslimanë që në orët e para të mëngjesit bënë faljen e Namazit. Vetëm në Tiranë u mblodhën me qindra besimtarë, ku distanca e tyre thuajse ishte e pamundur. Për kreun e urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj këto grumbullime janë me rrezik dhe se nuk duhet të bëheshin, por shtoi se nuk kanë se çfarë të komentojnë veprimin e besimtarëve, ku vetë politika dha shembullin e gabuar me tubime elektorale gjatë fushatës zgjedhore. Gjatë diskutimit në emisionin “Repolitix”, Brataj tha se rezultati i këtyre grumbullimeve për faljen e Namazit do të shihet pas dy javësh.
“Grumbullimet nuk janë të mira, po çfarë t’u thuash besimtarëve ku politika bëri gjithë ato tubime. Për ne këto janë të gabuara dhe nuk janë të pranueshme, por këshillat tona janë këto, se sa zbatohet pastaj duhet ta thonë institucionet përkatëse që ndjekin këto raste. Sa ndikuan këto grumbullime sot do të shihen pas dy javësh.
Ndërsa Zv.Ministrja e Shendetësisë, Mira Rakacolli tha se ka një rënie të qarkullimit të virusit në popullatë duke bërë që drita në fund të tunelit të zmadhohet, por duhet treguar kujdes dhe të vijohet me respektimin e masave.
” Drita në fund të tunelit është zmadhuar, por kemi akoma rrugë për të bërë, duhet të vazhdojmë të tregojmë kujdes dhe të zbatojmë po ato masa. Ka pasur një keqkuptim se pati një ditë që nuk pati shtrime në QSUT, por situata nuk është kaq rozë sa duket”.
Në lidhje me lehtësimin e masave anti-COVID për heqjen e maskave të atyre që kanë bërë vaksinën apo dhe orës policore, që aktualisht është 22:00-06:00, mjekët u shprehën hezitues duke thënë se çështja do të vijojë të shihet në vazhdimësi dhe se nuk mund të flitet për lehtësim në këto momente, edhe pse situata me pandeminë është në trende pozitive.
“Për orën policore diskutohet çdo lloj mase që merret në detaje. Do diskutohet do shikohet situata dhe mbi bazë të indikatorëve dhe themi se çfarë mase i përgjigjet situatës. Jam më e tërhequr sepse i jap rëndësi rritjes së rasteve në spital”, u shpreh Rakacolli
“Nuk mund të diskutojmë t’i heqim të gjitha. Duhet të mbahet maskat edhe pse e vështirë për verën, por këto maka do të diskutohen dhe deri tani nuk ka vendimmarrje për këtë”, tha Brataj.
g.kosovari