Një shqiptar ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pas një aksidenti rrugor në Itali. Ngjarja ndodhi në Cingoli. Shqiptari, një 31-vjeçar me iniciale S.B. po udhëtonte me motor kur u përplas me një makinë.
Shkak i përplasjes së shqiptarit u bë një aksident i dy makinave të tjera. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, një 26-vjeçare italiane ka ecur me mjetin tip Alfa Romeo Mito në korsinë e kundërt. Për pasojë është përplasur fillimisht me një makinë tjetër tip Fiat Qubo.
Shqiptari, i cili po udhëtonte me një Kawasaki 900 u përplas me pjesën e prapme të Alfa Romeos. Kjo goditje ishte më e rënda. Shqiptari nga përplasja ka shkuar në xhamin e pasmë të makinës dhe më pas ka rënë në tokë. Për pasojë ai ka marrë dëmtime të rënda. Menjëherë u dërgua në spitalin e Ankonas.
Sipas mediave gjendja e tij mbetet e rëndë. Mësohet se shqiptari punonte si kamionist. Në momentin e ngjarjes ai po shkonte në vendin e punës. Policia po heton për shkaqet e këtij aksidenti të rëndë që ndodhi të martën mbrëma.
/a.r