Nga Blendi Kajsiu
Debati mediatik mbi integ ritetin e zgjedhjeve të vitit 2021 gjithnjë e më shumë po fsheh krizën reale që kanë prodhuar këto zgjedhje. Tensionet e thella që po prodhon fitorja e PS-së, sidomos në kampin opozitar, burojnë nga fakti se pushteti në Shqipëri shërben për punësimin dhe mbijetesën ekonomike të elektoratit partiak.
Ndaj shqetësimi real i liderëve të opozitës, përtej standardeve zgjedhore, ka të bëjë me perspektivën e vështirë ekonomike, me të cilën përballen militantët e saj. Ekonomia shqiptare, sidomos sektori privat, nuk prodhon punësim të mjaftueshëm për të kënaqur nevojat e shoqërisë shqiptare.
Në fakt, sipas një studimi të bërë nga Ardian Civici, Arlind Rama dhe Ledjon Shahini mbi tregun e punës në Shqipëri, shkalla e punësimit në Shqipëri ka rënë nga 56,4 % në vitin 1991 në 42,1% të forcës së punës në vitin 2016.
E thënë ndryshe, ekonomia jonë që pas rënies së komunizmit krijon gjithnjë e më pak vende pune. Kjo tendencë problematike thellohet edhe më tej me krizën e Covid-19. Kështu, vetëm në vitin 2020, sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, u humbën 43 mijë vende pune, që në shumicën e tyre vinin nga tregu privat.
Ndërkohë që sektori privat ofron gjithnjë e më pak punësim, nga viti 2015 në vitin 2019 në administratën shtetërore janë hapur 8 mijë vende të reja pune, sipas INSTAT. Kjo rritje shtohet edhe më shumë gjatë fushatës elektorale të vitit 2021.
Por rritja e peshës së sektorit publik në raport me sektorin privat nuk është produkt i politikave majtiste apo social-demokrate. Përkundrazi, është rrjedhojë e një modeli zhvillimor neoliberal që eliminon politikat shtetërore që mbrojnë prodhimin apo industritë vendase. Është ky model që prodhon një ekonomi kombëtare flegmatike dhe të paaftë të prodhojë vende të mjaftueshme pune.
Në këto kushte, lufta për pushtet transformohet nga një garë politike idesh dhe vizionesh në një luftë për mbijetesë. Humbja e pushtetit nënkupton humbjen e punësimit dhe të ardhurave në mes të një krize të thellë ekonomike. Ashtu sikurse marrja e pushtetit është një mundësi për të dalë nga mjerimi dhe emigrimi. Ky është një nga burimet themelore të tensionit dhe polarizimit mes palëve, që nuk ka një dimension thjesht elitist apo ideologjik.
Ndarja themelore sot në shoqërinë shqiptare nuk është veri-jug, komunist-antikomunist apo fetare, por demokrat-socialist. Kjo nuk është një ndarje që prodhohet thjesht nga politika, por mbi të gjitha nga sistemi ekonomik që e transformon shtetin në plaçkë dhe burim punësimi elektoral. Në rastin konkret, pas zgjedhjeve të 2021, “populli opozitar” ka marrë një goditje të trefishtë. Së pari humbi pushtetin qendror, së dyti atë vendor dhe së treti përballet me krizën Covid, sepse punon kryesisht në sektorin privat.
Ndërkohë, “populli socialist” përfiton ekskluzivisht si nga pushteti vendor, edhe nga ai qendror, ndërsa është shumë më i mbrojtur nga kriza aktuale ekonomike. Denoncimet kundër kapjes së shtetit dhe të ekonomisë, akuzat ndaj oligarkëve dhe pastrimit të parave, burojnë nga ky realitet. Më shumë se kundër oligarkëve konkretë, që janë po ata që dje pasuroheshin me PDnë, këto akuza shprehin pakënaqësinë e thellë me një situatë ku një pjesë e popullatës e ka kapur shtetin për 12 vite dhe pjesa tjetër mbetet rrugëve.
Pas tetë viteve në opozitë, pas humbjes së pushtetit lokal dhe degradimit të qeverisjes Rama, Partia Demokratike dhe “populli demokrat” ishin të bindur se tashmë ishte radha e tyre për të ardhur në pushtet. Nëse pushteti është i të gjithë popullit, siç duhet të jetë në demokraci, tashmë ishte radha e demokratëve për të përfituar prej tij në tetë vitet e ardhshme.
Në një sistem që ofron vetëm dy alternativa, elektorati nuk kish ku të shkonte tjetër. Kjo pritshmëri ishte më se e kuptueshme po të kemi parasysh se që nga viti 1997 kjo ka qenë dinamika e ndarjes së pushtetit në Shqipëri.
Ai është ndërruar çdo tetë vjet nga PS-ja te PD-ja. Në fakt, fabula reale e fushatës së opozitës nuk ishte “ne jemi më të mirët”, por “është radha jonë”. Për këtë arsye sot brenda popullit opozitar ka një zemërim të thellë dhe të dyfishtë. Së pari me “pabesinë” e Ramës që kundër çdo precedenti dhe sensi drejtësie e mori pushtetin për ta mjelë edhe për 4 vite shtesë. Së dyti, ndaj Bashës që “i vodhën” radhën.
Ndaj shumë nga kritikat që i bëhen këtij të fundit nuk kanë të bëjnë me faktin që nuk arriti të ndërtojë një alternativë apo frymë të re, por me dështimin e tij për të ruajtur votën ose radhën për të ardhur në pushtet. Partia Socialiste dhe Edi Rama e kuptojnë shumë mirë këtë realitet që fshihet pas mjegullnajës së debatit për integritetin e zgjedhjeve ku kontribuojnë analistë pa fund (pa përjashtuar autorin e këtyre radhëve).
Ata e kuptojnë mirë se populli demokrat është një segment shumë i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare dhe nuk mund të përjashtohet pafund nga përfitimet e pushtetit.
Ndaj dhe oferta e Ramës dhe PS-së për bashkëpunim është serioze dhe duhet marrë seriozisht. Ata e dinë mirë se populli demokrat, edhe pse mund të mos jetë shumicë qeverisëse, mund të transformohet në një pakicë të madhe bllokuese dhe destabilizuese. Sidomos kur të gjitha përfitimet e pushtetit i merr vetëm njëra palë dhe sidomos kur i përqendron në kaq pak duar./panorama