Nga Skënder Minxhozi/
Ishte thënë e shkruar prej kohësh, që pala fituese e 25 prillit do të shpëtonte nga një krizë e rëndë dhe komplekse në secilën prej tre selive më të mëdha politike të Tiranës. Edi Rama dhe Partia Socialiste futën në xhep mandatet e qeverisjes duke ja lënë hallin në mes të shtëpisë dy simotrave opozitare PD-LSI, të cilat këto orë përballen me hamendje e dilema hamletiane, sa i përket asaj që do të bëjnë në javët, muajt e vitet në vijim.
E ndërsa në LSI drama përmblidhet në fatin politik të çiftit Meta-Kryemadhi, në mungesë të çdo lloj oponence apo trysnie për analizë postzgjedhore nga personat rreth tyre, në Partinë Demokratike është rihapur (ashtu si më 2017), vallja e gjetjes së përgjegjësive të Lulzim Bashës e zyrtarëve rreth tij, për humbjen e katërt elektorale rradhazi. Siç pritej, kërkesa për largim të kryetarit ka prodhuar menjëherë antitrupin e vet: “shtrëngimin e rradhëve” rreth kreu të partisë! Burokratët brenda selisë nuk po priren drejt analizës të asaj që nuk shkoi mirë, por po kërkojnë të blindojnë pozitën e kreut të tyre. Një refleks klasik ky i të gjithë partiakëve të këtij vendi qysh nga kohë që s’mbahen mend.
Edi Rama po e shijon me qetësinë e fitimtarit këtë skenë patetike ku dhjetra burra e gra i shprehin dashurinë e pakushtëzuar në distancë Lulzim Bashës, meqë i çoi…në humbje. Është situata më e volitshme për kryeministrin që të vazhdojë lojën e tij të maces me miun, duke nisur me urgjencë një procedurë shkarkimi për Presidentin, pasuar nga një ofertë publike për ta negociuar me opozitën (nënkupto PD) emrin e pasardhësit të tij. Po shohim këto ditë të shpaloset një manual i tërë diversionesh nga ana e fituesve të 25 prillit, në adresë të një force politike që ndodhet në kaos të plotë për të ardhmen e saj.
Kur Rama hodhi gjatë fushatës elektorale idenë e bashkëpunimit postzgjedhor me Bashën, shumëkush, përfshirë vetë Bashën e deklaruan këtë ftesë si një shenjë dobësie të atij “që po humbte zgjedhjet”. Vështirë se sot, kur rezultati është afishuar në çdo cep pallati e rrugice, ata që nxituan të këndojnë fitore mbi Ramën, të vazhdojnë të mendojnë njësoj. Ajo ftesë ka qenë dhe mbetet një dilemë brenda PD, po aq e madhe dhe e komplikuar sa edhe fati i kryetarit të partisë. Një lëvizje që s’duhet marrë kurrsesi lehtë dhe në mënyrë sipërfaqësore, pasi i ka degëzimet dhe efektet në shumë plane dhe në afat të gjatë kohor.
Duke kërkuar bashkëpunim “në të gjitha drejtimet e imagjinueshme”, kryeministri ka hedhur jo thjesht një shashkë propogandistike, por ka kërkuar të ndajë ende pa nisur, pushtetin e mërzitshëm dhe të njëtrajtshëm që fitoi në 25 prill. Pasi i ka harxhuar idetë, fytyrat dhe energjitë e saj si panel në dy mandatet paraardhëse, Partia Socialiste është e ndërgjegjshme se qeverisja e saj e tretë radhazi do të jetë një ushtrim i vështirë ekuilibri, vullneti dhe vizionesh.
Rama mbi të gjithë të tjerët e ka ndjesinë e peshës që ka marrë mbi shpinë, për të drejtuar një anije që i ka librat e llogarisë në të kuqe, që ka mbi krye një ndër krizat më të rënda ekonomike e sociale, e që do të ketë përballë një opozitë të shumtë në numër dhe fytyrngrysur e agresive si kurrë më parë.
Sado që mundi të fitojë edhe këtë herë, Edi Rama i di fort mirë se uniforma e tij ka humbur disa spaleta rrugës. Fitorja më e bujshme është njëherësh edhe më e vuajtura. Oferta për të negociuar presidentin, është jo vetëm një diversion i hapur për ta shtyrë PD drejt çarjes me LSI, por edhe antipasta e një marrëveshjeje që mund të përfshijë qeverinë, parlamentin dhe institucione të tjera.
Ndodhemi kështu përballë një oferte zyrtare nga ana e fitimtarëve, për të ndarë pushtetin e sapofituar me humbësit. Por që ky projekt të ketë sukses, ashtu siç para 25 prillit duhej me patjetër fitorja e Edi Ramës, aktualisht duhet me patjetër fitorja e Lulzim Bashës brenda partisë së tij. Pa këta dy protagonistë, rrethana e një bashkëqeverisjeje zbehet e mpaket. Sfidanti i Bashës që mund t’i marrë atij skeptrin e kryetarit, zor se vjen në atë poltron në emër moderimit. Do të jetë një presidencë partie e fokusuar tek sjellja prej skifteri, jo prej pëllumbi.
Megjithatë për shkak të procesit të shkarkimit të Metës, turbullirës së brendshme në PD dhe paqartësisë së Ramës për të formatin konkret që do të marrë mandati i tij i tretë në shtator, skena politike shqiptare është më interesante se kurrë. Të shpresojmë që kuptimi i fjalës interesante të mos jetë ai i mallkimit të lashtë kionez “jetofshi në kohëra interesante”!