Ka shkuar në 596.766 numri total i vaksinimeve të kryera në vend që prej fillimisht të fushatës. Vetëm 24 orët e fundit janë kryer 11.073. Lajmin e ka dhënë sot ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Vaksinimi masiv në vend vijon prej më shumë se një muaji dhe efektet kanë filluar të ndjehen, duke parë uljen e numrit të infeksioneve ditore dhe fataliteteve.
Rastet e reja me COVID në vendin tonë kanë ardhur në rënie. Në 24 orët e funditnga 4516 testime të kryera kanë rezultuar pozitiv me koronavirus 89 qytetarë. Ndërkohë që betejën me sëmundjen nuk kanë arritur që ta fitojnë 3 qytetarë: 2 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Lezha, të moshave 50-72 vjeç. Aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 99 pacientë, 10 në terapi intensive, nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.
Ndërkohë që mëngjesin e sotëm pas më shumë se një viti luftë me COVID-19, profesor Tritan Kalo ka njoftuar se është regjistruar 24 orëshi i parë që në Infektiv nuk është paraqitur asnjë i sëmurë me COVID. Kjo për Kalon, është një tregues, se vendi ynë është në rrugën e duhur për të mundur COVID-in, edhe pse ka ende punë.
g.kosovari