Pesë rojet bregdetare të Forcës Detare në Vlorë, që u arrestuan më 6 maj 2021, dolën sot përpara gjykatës për vlerësimin e masës së arrestit.
Gjykata e Vlorës caktoi masën e “arrest në burg” për 5 rojet bregdetare që akuzohen se ndihmuan një prej skafistëve që po transportonte 55 klandestinë.
Në burg janë lënë Sejfulla Beja, Ardit Alikaj, Bledar Bufaj, Roland Çani e Besmir Meçe.
Momente emocionale, lot dhe tensione shoqëruan nisjen e seancës, nga familjarët e të arrestuarve, të cilët ishin të pranishëm në sallën e gjyqit.
“Jeni heronj, heronj, mos çani kokë fare”. “Bledi mos e ça kokën, do dalësh, të kam vëlla.” “Jeni burra, jeni heronj heronj. Keni shpëtuar jetë njerëzish. Je hero xhan i babit”. “Ylli i mamit ti”, janë disa nga fjalët që dëgjohen të thonë familjarët e të pandehurve në sallën e gjyqit, me lot në sy.
“Këta janë heronj, ky u zhyt në det ka marrë fëmijë ne kemi cuar 18 në gjendje të rëndë. Ka ndodhur 8-9 janar 2021. Në 9 janar 2004 28 veta vdiqën, ne e bëmë detyrën. Ik shikoje në spital sa kemi cuar në gjendje të rëndë. Na akuzojnë për shpërdorim detyre, ça shpërdorim detyre mo se kam shpëtuar jetë njerëzish?”, tha njëri prej të arrestuarve në sallën e gjyqit para se të jepej vendimi për masat e sigurisë.
CFARE THOSHTE POLICIA
“Ndalimi i tyre u bë pasi këta shtetas, me detyrë roje bregdetare të Forcës Detare, gjatë operacionit për goditjen e tentativës për kontrabandim në drejtim të Italisë, të migrantëve nga vendet e treta, në grykëderdhjen e Vjosës, dyshohen se gjatë evakuimit të personave në bordin e mjetit lundrues, kanë shpërdoruar detyrën, duke mos siguruar shoqërimin e të gjithë personave të evakuuar gjatë operacionit, konkretisht drejtuesin e mjetit lundrues (gomone), i cili ka mundur të largohej, shtetasin E. L.(A.), një ndër tre të arrestuarit nga Policia, në muajin janar”.
g.kosovari