Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut deri tani janë trajtuar bashkë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Por problemet që Shkupi po has me Sofjen për çështje të karakterit historik, mund të bëjë që BE të vendosë për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare vetëm me Shqipërinë.
Mundësia që një gjë e tillë të ndodhi është lënë e hapur nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi në një intervistë për Euronews.
-Si po shkojnë bisedimet rreth hapjes së negociatave, për procesin e zgjerimit sidomos për Shqipërinë, a ka ardhur drita jeshile nga Komisioni për të nisur Konferencën e Parë Ndër-Qeveritare së shpejti apo janë ende në pritje?
Oliver Varhelyi: Në fakt, nuk e jep Komisioni dritën jeshile. Komisioni jep propozimin tek Këshilli Shtetëror ku bëjnë pjesë vendet anëtare, dhe ku vendet anëtare marrin vendimet. Gjykimi ynë është që të dyja shtetet, edhe Maqedonia e Veriut edhe Shqipëria i kanë përmbushur të gjitha kushtet për të organizuar Konferencën e parë ndërqeveritare.
-Pra ndarja e vendeve është një opsion i mundshëm?
Oliver Varhelyi: Mund të jetë një opsion, po.
Komisioni Evropian pritet të rekomandojë mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare në samitin e qershorit të liderëve të Bashkimit Evropian. Vendet e Bashkimit Evropian më pas do të zgjedhin nëse do ta miratojnë një hap të tillë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Shkupi duket se ka ende një situatë të bllokuar politike me Sofjen për sa i përket çështjeve të kontekstit historik.
Deri vitin e shkuar nga vendet e BE është mbrojtur qëndrimi që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të vijojnë hapat njëkohësisht dhe të mos ndahen në proces. Por sot u raportua se KE mund të propozojë më parë nisjen e konferencës ndërqeveritare me Shqipërinë.
Prej 1 janarit të këtij viti presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian e kryeson Portugalia. Në korrik kryesimi i presidencës i kalon Sllovenisë.
/a.r