Deputeti socialist Alket Hyseni thotë se presidenti Ilir Meta mund të ketë kryer vepër penale, ndërsa shprehet se për të nuk ka dyshim që kreu i shtetit është përgjegjës për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.
Hyseni tha në emisionin “Frontline” se procedurat për shkarkimin e Metës “nuk e bëjnë të lumtur qeverinë”, por është “e detyruar” pas Meta shkel gjithnjë e më tepër Kushtetutën.
Pjesë nga deklarata e Hysenit:
Të mos dalë nga binarët dhe të mos abuzojë me detyrën. Presidenti, jo vetëm këtu por edhe një shtet si Italia, janë honorifik, roli i tyre është uniteti i kombit. Socialistët kanë më shumë deputetë se sa janë firmëtarë të asaj kërkese.
Në zbatim të bindjes time si një person që ka njohuri kushtetuese, jo thjesht sot, por në vijimësi kam shprehur mospajtimin tim me qëndrimin e presidentit në pikëpamjen e ushtrimit të kompetencave të caktuara nga Kushtetuta.
Kjo nuk është një gjë që na bën të lumtur apo krenarë, kemi detyrimin përballë mandatit që na ka dhënë populli me votë. Jemi të detyruar se veprimet e presidentit janë gjithnjë e më shumë në kundërshtim me Kushtetutën.
Nuk ka asnjë deputet që mund ta ndihmojë Ilir Metën për të shpëtuar. T’ja lëmë kohës këtë vendimin politik, aty do të shikoni nëse do të ketë deputetë që do votojnë kundra apo pro.
Presidenti ka nxitur dhunë, por parlamenti do të shohë nëse ka edhe rrethana të krimit të rëndë. Nxitje Haxhi Qamil-iste, për të mos lejuar “bandat e rilindjes”, “bandat e policisë” ku arritëm deri aty sa të kishim humbje jete.
Absolutisht Meta është përgjegjës që bën thirrje të tilla për struktura jo legjitime si ai grupi i mbrojtej së votës, e ndërtuar me njerëz me të kaluar të dyshimtë, por edhe të tjerë të pajisur me armë, rezultoi me një të vrarë e disa të plagosur. Thirrjet për nxitjen e dhunës kanë vepra penale.