“Po vëzhgojmë dërgimin e brigadës së 53-të të këmbësorisë të divizionit të 29-të të Gardës Kombëtare të SHBA, e cila mbërriti në portin shqiptar të Durrësit.
Së bashku me ta 750 njësi të pajisjeve ushtarake”, tha me 27 prill ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shojgu, i cituar nga RIA Novosti.
Deklarata e Shojgu-t u bë në një mbledhje në kryeqytetin taxhik Dushanbe të Këshillit të ministrave të mbrojtjes të shteteve-anëtare të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive, aleancë ushtarake ndërqeveritare në Euroazi që përbëhet nga shtete të zgjedhura pas-sovjetike.
“Rusia po monitoron nga afër dërgimin dhe hapjen e forcave të NATO-s në Evropë gjatë stërvitjes “Defender Europe”, tha kreu rus i Mbrojtjes, i cili nënvizoi se “stërvitja e NATO-s “Defender Europe 2021” është nga më të mëdhatë në 30 vitet e fundit”.
Kremlinit dhe medieve ruse u ka tërhequr vëmendjen fakti se disa gjeneralë amerikanë do të mbërrijnë në Shqipëri në javën e parë të majit si pjesë e stërvitjes “Defender Europe 2021”.