Nga Eduard Zaloshnja
Pavarësisht sesi i mori votat, viti i largët 2001 shënon herën e fundit që PS-ja dhe satelitet e saj të vogla (që dikur i ka patur në koalicion) ta kalonin kufirin 50% të votave për partitë (shihni grafikun shoqërues). Atëherë, me 52.5% të votës popullore, koalicioni PS siguroi 60% të mandateve parlamentare, falë skemës famëkeqe të Dushkut.
Me ndarjen e LSI-së nga PS-ja, koalicioni i saj pësoi një rrudhje dramatike më 2005 – zbriti në 38.5% të votave për partitë. PS e rimori veten më 2009, por nuk e kapi më dot kuotën 50% të votës popullore. Më 2013, për të ardhur në pushtet, iu desh të fuste në koalicionin e saj edhe LSI-në. Ndërsa për ta mbajtur pushtetitn më 2017 dhe më 2021, përdori skemën “Gjiknuri”.
Sipas kësaj skeme, partitë kundërshtare të PS-së nuk u lejuan të krijonin koalicion parazgjedhor shumë-listor, por vetëm me lista unike (duke u hequr atyre mundësinë për të grumbulluar të gjitha votat e dhjetra partive opozitare në një thes të madh).
Më 2017, kjo skemë u miratua nga Basha, pas takimit të tij të famëkeq me Ramën në 17 majin e 2017-së. Më 2021, kjo skemë u miratua nga deputetët rezervë të opozitës (që kishin zëvendësuar deputetët e larguar nga Kuvendi prej Bashës).
Si rrjedhojë, PS-ja siguroi në të dyja zgjedhjet rreth 53% të mandateve parlamentare, me më pak se 49% të votës popullore. Në qoftë se në të dyja rastet do të ishte lejuar mbledhja e votave të opozitës në një thes të përbashkët, PS-ja nuk do të kishte marrë dot më shumë se gjysmën e mandateve…
Nëse heq 1.6 milion votues jashtë vëndit që nuk do zë votojnë kurrë pd mer mbi 75%tl votës popullore