Kryeministri Edi Rama ka mohuar këtë të enjte gjatë emisionit Opinion që Partia Social Demokrate, e cila në zgjedhjet e 25 Prillit ka fituar 3 deputetë, të hyjë në qeveri me të.
Ai u shpreh se e ka siguruar mazhorancën, megjithatë, kur u pyet nëse do të fusë pjesë të mazhorancës deputetë apo kryetarë partish të vogla që janë futur në Kuvend me listën e opozitës se, “Nuk ka kufij kjo punë”.
Rama deklaroi se nuk është problem nëse një nga këta kryetarë partie vjen dhe mbështet qeverinë.
Blendi Fevziu: A do jetë Partia Social Demokrate në qeveri me ju?
Edi Rama: Jo.
Blendi Fevziu: Në asnjë rast, edhe nëse do të keni nevojë për vota?
Edi Rama: Jo.
Blendi Fevziu: A do të merrni ju ndonjë deputet të opozitës apo partive të vogla që janë renditur me opozitën për të siguruar mazhorancën tuaj.
Edi Rama: Ça mazhorance të siguroj?
Fatjona Mejdini: Për ta fuqizuar, për ta pasur më të cilësuar?
Blendi Fevziu: A mund të bëni një premtim publik që deputetë, kryetar partish të vogla që mund të largohen nga lista e opozitës nuk do jenë pjesë e mazhorancës suaj.
Edi Rama: Nuk ka kufij kjo punë, mund të dalë nesër një nga kryetar dhe të thotë ‘mbështes qeverinë’. Të vijë ta mbështesë, s’ka problem fare.
/a.r