Partia Demokratike arriti të sigurojë një rritje të ndjeshme të votave në Tiranë, por pa arritur ta fitojë atë në nivel bashkie. Të vetmen njësi që mundi të marrë ishte ajo 8, e cila në zgjedhjet e shkuara ishte fituar nga socialistët.
Në total në këtë njësi, që iu besua drejtorit të fushatës Alfred Rushaj, Partia Demokratike ka marrë 44.9 për qind të votave ose 7921 vota, ndërkohë që socialistët kanë marrë 42.86 për qind ose 7558 vota.
Ndërkohë që në rang qarku, demokratët fituan edhe Kamzën, bastionin e tyre. Në këtë zonë të djathtët arritën të sigurojnë 50.7% të votave ndërsa të majtët 37.59%, e përkthyer në vota PD siguroi 25764, kundrejt 19.344 votave që siguruan socialistët në këtë Bashki.
Por demokratët arritën të ngriheshin me afro 30% më shumë vota në një prej bastioneve të majta, në njësinë numër 10, të drejtuar nga kandidatja për deputete Jorida Tabaku.
Pavarësisht ngritjes në këtë njësi dhe rënies me 200 vota të socialistëve, vota e banorëve të kësaj njësie shkoi në favor të Partisë Socialiste.
/Klan/ a.r