Nga Adriatik Doçaj
Sali Berisha po pozicionohet qartësisht kundër dorëheqjes së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, humbja e gjashtë radhazi që kur Berisha i besoi drejtimin e partisë në verën e vitit 2013. I konsideruar si faktori vendimtar që vendos për fatin e Bashës në krye të PD-së, Berisha ka dhënë sinjale të qarta në mbrojtje të Bashës, pavarësisht se zërat në PD për largimin e tij po shtohen me shpejtësi.
Së pari, mediat pranë dhe nën kontrollin e Familjes Berisha, kanë injoruar dhe sfumuar deklaratat e figurave politike të PD-së, për dorëheqjen e Lulzim Bashës. Qëndrimi i fortë i kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani, i cili kërkoi largimin e Bashës si një projekt i dështuar, nuk gjeti pasqyrim në mediat pranë Berishës dhe as në Facebookun e tij.
Së dyti, prej 24 orësh, Sali Berisha ka nisur të mbrojë publikisht alibinë e Lulzim Bashës për të mos dhënë dorëheqjen, duke mbështetur pretendimin se zgjedhjet janë manipuluar, kur në fakt, arsyeja kryesore e humbjes, është taktika e gabuar elektorale e Lulzm Bashës, i cili hyri në zgjedhje i ndarë nga LSI, duke humbur disa mandate. Me këtë lëvizje, Berisha po jep një mesazh të qartë se do t’i besojë Bashës drejtimin e partisë për katër vitet e ardhshme, ndërsa zërat për dorëheqjen e Bashës, me shumë gjasa, do të shpallen ‘armiq’.
Pozicionimi i Berishës në krah të Bashës, duket se do të shtyjë Partinë Demokratike drejt ndarjes në dy kampe; ata që kërkojnë zgjedhjen e një kryetari të ri për sjellë partinë pushtet dhe ata që mbështesin vazhdimësinë e Lulzim Bashën në krye të PD-së, edhe pse ka humbur zgjedhjet lokale të 2015, zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër dhe Korçë, zgjedhjet parlamentare të 2017, dorëzoi zgjedhjet lokale të 2019 dhe humbi zgjedhjet parlamentare të 2021. Në krah të Bashës, përpos Berishës, pritet të pozicionohen edhe deputetët e ri të PD-së.
Nga ana tjetër, deri më sot, dorëheqjen e Lulzim Bashës e kanë kërkuar kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së Bujar Nishani, ish-sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani si dhe anëtarë dhe ish-anëtarë të strukturave të larta të PD-së si Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli, Endrit Hoxha, Endira Bushati, Ibsen Elezi, Bislim Ahmetaj, Arben Imami, Edvin Kulluri, Pirro Ahmetaj, Fatos Hoxha etj. Ndërkaq, militantët kanë shpërthyer në rrjetet sociale pas humbjes, duke kërkuar largimin e Bashës. Megjithatë, duke se historia pas humbjes së zgjedhjeve të 2017, do të përsëritet edhe gjatë kësaj vere në PD.(Shqiptarja.com)