Nga Eduard Zaloshnja
Pasi komisionerët e tre partive kryesore i numeruan te gjitha votat që ishin brenda kutive të votimit, rezultoi se pjesëmarrja zyrtare nuk ishte aq e madhe sa ç’u raportua paraprakisht të djelën në darkë nga KQZ-ja. Madje ishte edhe më e vogël se më 2017 – vetëm 46.3%, nga 47% që ishte para katër vjetësh.
Por qarku Tiranë bëri përjashtim nga rregullsia e qarqeve të tjera ku ka lloj-lloj influencash lokale (që është vëshirë të deshifrohen vetëm nga shifrat elektorale): Pjesëmarrja u rrit nga 49.9% që ishte më 2017, në 53.3% (shihni tabelën shoqëruese). Dhe një rritje e pjesëmarrjes në zgjedhje është zakonisht indicie për përmbytje elektorale…
Por me rritjen e pjesëmarrjes në qarkun Tiranë, u shtuan edhe votat për PS-në, duke e rritur madje peshën e saj elektorale në qark: nga 48.2% para katër vjetësh, në plot 48.7%.
Kështu, numri i votave të vlefshme për PS-në u rrit me 26.5 mijë, krahasuar me 2017-ën.
Ndërkohë, në qoftë se shpërndahen proporcionalisht mes partive votat e pavlefshme të të dyja zgjedhjeve, rezulton që PS-ja ka patur një rritje me 32 mijë vota. Për të kanë votuar rreth 26% e votuesve ne listat zyrtare (ku përfshihen edhe qindra mijra emigrantë), me rritje nga 24% q ishte më 2017, dhe me distancë të madhe nga koalicioni PD-AN.
Por përse nuk arriti PS-ja të merrte në qarkun Tiranë më shumë mandate e më 2017, megjithë këtë rritje të peshës së saj elektorale?
Një faktor i ri elektoral u shfaq këtë herë në qarkun Tiranë: PSD. Para katër vjetësh, kjo parti mori vetëm 800 vota në qarkun Tiranë. Kurse të djelën, PSD mori plot 13300 vota, rreth 1300 vota më shumë se ç’i duheshin për mandatin që mori në këtë qark. Në qoftë se një grusht votuesish socialdemokratë do të kishin votuar për sivëllezërit e tyre socialistë, PS-ja do ta kishte arritur mandatin e 19-të në Tiranë…
Pasqyra elektorale e qarkut Tiranë
REZULTATET ZYRTARE | |||
2017 | 2021 | Ndryshimi | |
Pjesëmarrës (në mijë) | 424 | 485 | +61 |
Pjesëmarrja (%) | 49.9% | 53.3% | +3.3% |
Votat PS të vlefshme | 200.5 | 227 | +26.5 |
Vota PS të vlefshme + pavlefshme | 204 | 236 | +32 |
Pesha elktorale PS | 48.2% | 48.7% | +0.5% |
Mandate PS | 18 | 18 | 0 |