Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha të hënën se ndihma e jashtme dhe bashkëpunimi i Kinës në fushën e zhvillimit nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe nuk bëhen me kushte politike.
Kina këmbëngul në bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella dhe trajtimin e barabartë të vendeve të tjera, tha ministri Wang në ceremoninë e hapjes së Ekspozitës së Arritjeve të Kinës në Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Zhvillimin, të organizuar në Pekin.
Kryediplomati kinez shtoi se vendi i tij mbështet parimet e respektit e besimit të ndërsjellë, konsultimeve të gjera, si edhe ndërtimit e përfitimeve të përbashkëta.
Kina këmbëngul në mbajtjen e premtimeve të veta dhe merr plotësisht parasysh nevojat e vendeve marrëse të ndihmës, përputhet me planet e tyre të zhvillimit dhe fokusohet te përmirësimi i jetesës së njerëzve, theksoi Wang.
Përveç këtyre, Kina forcon shkëmbimet me vendet e zhvilluara dhe organizatat ndërkombëtare për të zhvilluar bashkëpunim trepalësh, mbi parimin që projektet duhet të propozohen, miratohen dhe drejtohen nga vendet përkatëse.
Ministri i Jashtëm kinez vuri në dukje se Kina do të vazhdojë të punojë për arritjen e objektivit të ndërtimit të një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit, duke e lidhur ngushtë të ardhmen e vet me atë të vendeve të shumta në zhvillim, si edhe duke promovuar zhvillimin e përbashkët dhe lulëzimin e botës nëpërmjet thellimit të vazhdueshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zhvillimit.