Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, ka vëzhguar nga afër procesin e numërimit në KZAZ-në e ‘Shkollës së Kuqe” në Tiranë. Soreca ka takuar dhe komisionerët duke u kërkuar atyre që të vijojnë punën, pasi procesi në këtë qendër prej shumë orësh është bllokuar.
“Vazhdoni punën që po bëni, është e rëndësishme që të vijohet me numërimin“, ishte kjo thirrja e Sorecës.
Më tej në një prononcim për mediat diplomati bëri thirrje për vijim të numërimit, pasi siç tha ai të gjithë shqiptarët po presin rezultatin e votimit. Po ashtu paralajmëroi se mund të ketë dhe një deklaratë nga BE lidhur me procesin zgjedhor në Shqipëri.
“Sot ishte dita e dytë e vëzhgimit që kam bërë unë. Po shkoj në disa nga qendrat e numërimit në Tiranë. Në disa prej tyre ekipet po bëjnë pushim në mënyrë që të rifillojnë sërish punën. Më lejoni të them procesi duhet të vijojë duhet të mos ketë vonesa dhe shqiptarët duan të njihen me rezultatin e zgjedhjeve. Zgjedhësit shqiptarë e thanë fjalën e tyre dje dhe kishte një pjesëmarrje të lartë.
Më lejoni të them që kam mirëpritur procesin pilot të numërimit dhe votimit elektronik. Të gjithë duhet të presin me qetësi rezultatin e votimit, ashtu siç kanë bërë thirrje liderët politik dhe duhet të numërohen të gjitha votat. Deri sa të numërohet vota më e fundit, duhet të presim me qetësi dhe nuk duhet të arrijmë me konkluzione dhe përfundime.
Ne si ekip i BE do të vazhdojmë punën tonë dhe do të vëzhgojmë deri në fund të procesit. Me këtë rast dëshiroj të falenderoj të gjitha ambasadat që kanë ndihmuar me vëzhgimin, ne kemi bashkëpunuar me OSBE pasi ajo është në krye të vëzhgimit të zgjedhjeve. Të gjithë po presim gjetjet paraprake të zgjedhjeve nga ODIHR. Ka mundësi që sot mund të ketë dhe ndonjë deklaratë nga liderët evropian për procesin zgjedhor në Shqipëri“, ishte kjo deklarata e ambasadorit të BE.
/a.r
Kjo ishte aresyeja qe Bylykbashi kerkoi komisioner politik .Oengesa ne numerim