Nga Ylli Pata
Tashmë po përvijohet minutë pas minute verdikti popullor i zgjedhjeve të 25 prillit, që del nga kutitë.
Një gjë tashmë duket e sigurtë; Edi Rama i ka fituar këto zgjedhje dhe ajo që është për të vërtetuar, është masa reale e këtij triumfi.
Ndërkaq, në mënyrë të qartë, pasoja e kësaj vote, që dukshëm është plebishitare, është referendum i qartë kundër Ilir Metës, ku partia e tij LSI, edhe pse ka marrë një përqindje në rang kombëtar, po shkon drejt defaktorizimit.
Megjithatë, pasoja bazë e 25 prillit është disfata e rëndë e Ilir Metës, i cili është politikisht dhe realisht i humburi i madh.
Pasoja tjetër është një ngritje e Partisë Demokratike, çka i jep forcës politike kryesore të opozitës në vend, një shans për t’u rikthyer në sistemin politik në vend, pas daljes së tmerrshme në shkurtin dhe qershorin e vitit 2019.
Një tjetër pasojë e këtij referendum është goditja që qytetarët i dhanë kulturës së panelistëve që shpikin ngjarje dhe analizojnë zhvillime pa asnjë bazë dhe logjikë.
Kulturën e atyre që shpallin fitore dhe frymë popullore pa asnjë koncept, sikur janë në botën e tyre të fantazizë.
Panelistët e analistët që në gazetari nuk kanë bërë asnjë shkrim në jetën e tyre, por marrin përsipër të komentojnë zhvillime pa njohur panoramën dhe historikun.
“Pedagogë” e “Sociologë”, që gjatë jetës së tyre kanë qenë mediokër në profesion, por që u bënë të njohur vetëm falë lidhjes së tyre me krerët e partive./ TemA