Presidenti Ilir Meta është ndalur këtë pasdite në qytetin e Fierit, për të ndjekur nga afër procesin e votimit.
Në një komunikim për media, Meta vlerësoi procesin e qetë të votimit në Fier, por edhe në të gjithë vendin, duke bërë thirrje që kjo të vijojë deri në fund të procesit të votimit, por edhe gjatë numërimit të votave.
“Dua të përshëndes të gjithë qytetarët e Fierit për pjesëmarrjen e mrekullueshme, por edhe për gjithë ecurinë e shkëlqyer të ditës së sotme këtu. Për fat të mirë, kjo po ndodh kudo në gjithë vendin. Është një nga ditët e të mrekullueshme të vendit tonë, pasi është dita kur jo vetëm të gjithë shqiptarët kanë mundësinë të tregojnë besimin që kanë te demokracia, besimin që kanë në vetvete për të qenë pjesë e kontributit të tyre për legjitimitetin e komisioneve të reja, por edhe duke treguar një mirëkuptim e bashkëjetesë demokratike, që duhet të vazhdojë deri në fund të procesit të votimit, dhe më pas edhe në administrimin e gjithë këtij procesi, sa i takon numërimit. I ftoj të gjithë qytetarët, jo vetëm ata që nuk kanë votuar, por edhe ata që kanë angazhime të tjera dhe nuk kanë pasur mundësi të qëndrojnë deri në fund, të rikthehen, të japin votën e tyre. Ftoj në mënyrë të veçantë të rinjtë e të rejat e vendit, që të tregojnë se Shqipëria ka nevojë për votën e tyre, energjinë e tyre, optimizmin e tyre. Mbarëvajtja e procesit në këtë mënyrë do të jetë kontribut për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE, përveçse do të na rikthejë në normalitetin e domosdoshëm të të gjithë institucioneve në vend”, tha Meta.
/a.r